‘Shpopullimi, i qëllimshëm’/ Alimehmeti: Të rinjtë po largohen pasi shteti nuk mbështet familjen...
Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti, gjatë një interviste në Syri TV me gazetarin Edvin Parruca, deklaroi se largimi masiv i shqiptarëve nuk është një fenomen rastësor, por sipas tij pjesë e një politike të qëllimshme që ka nisur prej më shumë se një dekade.
Alimehmeti tha se përmes dobësimit të shërbimeve bazë, si shëndetësia, arsimi dhe drejtësia, veçanërisht në zonat rurale dhe qytetet e vogla, qytetarët janë shtyrë gradualisht drejt emigrimit ose zhvendosjes në Tiranë.
Sipas tij, centralizimi i institucioneve dhe mungesa e mbështetjes për familjet e reja kanë krijuar kushte që e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetesën në vend. Alimehmeti argumentoi se kjo ka sjellë zbrazjen e shumë zonave të Shqipërisë, ndërsa shtoi se rritja e kostos së jetesës dhe e çmimeve të pronave po e bën edhe më të vështirë qëndrimin e të rinjve në vend.
Intervista në studio:
Alimehmeti: Kemi të larguar vëllezër, motra, kushërinj, teze, halla, nipa, mbesa... është shumë e lehtë për secilën familje të dijë pse familjarët e vet janë larguar. Pastaj a është e vërtetë kjo për të gjithë kombin apo s'është e vërtetë, ka më pak rëndësi. Në fund fare, pse u larguan? Gjëja e parë, nuk janë larguar rastësisht.
Unë e shoh këtë si një program për ta shpopulluar vendin, i cili ka nisur mbi 10 vjet përpara. Qëllimisht, dhe ka filluar patjetër nga zonat më të lakmuara.
Parruca: Ti e sheh qëllimshëm, domethënë nuk është... ka njerëz që mendojnë kështu, nuk është një paaftësi, është një aftësi për të bërë këtë?
Alihmehmeti: Jo, mund të shihni juve fare mirë se si gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Socialiste bie popullata, ndërsa gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike popullata mbetet e njëjtë ose lehtësisht në rritje, shumë lehtësisht. Ndërkohë që prapë bie sapo vjen Partia Socialiste prapë. Kjo tregon një projekt, kjo tregon një qëndrim. Kjo tregon diçka që ata duan. Dhe në këtë moment këtu, momenti i shpopullimit, është i njëjtë po të shihni juve, Serbia e ka përdorur me Kosovën këtë për shumë dekada. Pra ua bënte jetën ferr brenda dhe i linte kufijtë të hapur. I thoshte ikni se është shumë mirë Zvicra, shumë mirë Amerika, shumë mirë Australia. Largohuni juve, në mënyrë që të largonte sa më shumë popullatë. Pse? Që të ketë sa më pak rezistencë. Për çfarë i duhej kjo rezistencë e ulur? Për t'i marrë burimet natyrore dhe territoriale. Pra në fund fare të ditës pushtuesi kështu mendon. Mendon ta largojë popullatën apo ta kthejë në argat. Nuk mendon që t'i japë diçka. I duhen burimet natyrore, territori e me radhë. Pra kjo ka nisur këtu te ne në këtë lloj mënyre dhe ka nisur duke hequr shërbime. Duke i larguar shërbimet. Duke ua bërë të vështira ose duke ia hequr fare. Për shembull, në qoftë se flasim për shëndetësinë, meqenëse nisëm për shëndetësinë, fillon e heq nga zonat rurale. Njëherë zonat rurale fillojnë zhvishen pothuajse komplet nga shëndetësia, fillojnë e largohen nga qytezat e vogla.
Më pas, po të vini re, sapo hyri kjo bisedë ato e ndanë direkt në katër rajone autoritetin. Shëndetësor, arsimor, policinë, gjyqësinë, i futën të gjitha dhe filluan t'i centralizojnë. Kur t'i centralizon do të thotë po largon shërbimet nga atje ku ndodhet popullata. Dhe shëndetësia duhet të jetë afër njerëzve. Nuk ka sens që të kesh vetëm Tiranën. Po çfarë do bëjnë pastaj qytetet e tjera? Po je i sëmurë në fshat, çfarë do bësh? Fillon spostohesh drejt qytetit.
Te qyteti çfarëdo, atë që ke më afër. Kur ti zbulon pastaj që ky qytet është sekondar dhe pajisjet apo specialistët apo ajo çka i del atij qyteti nuk mjafton, fillon spostohesh drejt Tiranës. Dhe ne kemi shumë të sëmurë që bëjnë ecejake me Tiranën sot, derisa herët a vonë detyrohen të vijnë këtu. Disa s'ia dalin as këtu e detyrohen të largohen fare. Po ashtu te arsimi, po ashtu te ekonomia, po ashtu te drejtësia. Bëhet gjithmonë e më e vështirë. Sapo hyn, bëhet e tillë që... në qoftë se një qytetar ka një mosmarrëveshje të thjeshtë, i drejtohet gjykatës për një kontratë, i duhen 15 vjet. Atëherë, çfarë do bëjë? Hyn në një konflikt civil. Sa e duron këtë konflikt civil dhe sa gjatë do e durojë? Pra në të gjitha këto aspekte, me të gjithë këto projekte hyjnë shtetet dhe në fillim te zonat më të lakmuara. Fillojnë me Tiranën, fillojnë me bregdetet, dhe më pas po të shihni ka arritur dhe te zonat më të mëdha, tashmë është te paketa e maleve.
Pse? I shpopulloi. I bëri të tillë që popullata vendase të ketë sa më pak rezistencë. Dhe në këtë moment fillon dhe u merr resurset. Për një kohë aq të gjatë, deri në 99 vjet apo jo? Në mënyrë të tillë që të mos ketë... mbas 99 vjetësh, e ke harruar komplet pjesën ku ishte prona, e kujt ishte, e kuptoni sa breza janë. Të largojnë jashtë që të mos kesh lidhje emocionale e me radhë. Pra patjetër ky është një projekt, kjo nuk është diçka rastësore, është diçka që e kemi parë përpara me Kosovën, dhe është diçka që po ndodh edhe këtu. Ka një intervistë brilante zoti Varoufakis ku e tregon këtë shumë qartë. E flet këtë si për Shqipërinë, si për Greqinë.
Dhe tregon se si popullatat vendase do të largohen, thotë, nga zonat e lakmuara të bregdetit, do shtyhen drejt zonave të brendshme të territorit, dhe do punojnë në punë shumë pak produktive, për këta njerëz që pastaj do kenë këto territoret. Dhe këta janë njerëz që kontrollojnë aspektet më produktive të ekonomisë. E si rrjedhojë patjetër shqiptarët largohen. Nga krahu tjetër shihni juve, keni ndonjë ligj që mbron familjen, që e mbështet familjen, që mbështet të rinjtë? Po gjëja kryesore që do bënte një i ri sot... se është shumë interesante, pikën më të rëndësishme që ata kanë për largimin e të rinjve e shesin si vlerë, që do të thotë, shih sa është rritur vlera e pronës në Tiranë për shembull.