Putini urdhëron ushtrinë: Përgatisni opsionet për hakmarrje ndaj Ukrainës

Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë të përgatisë opsione për hakmarrje kundër Ukrainës, pasi akuzoi Kievin për një sulm me dron në një konvikt studentor në Starobylsk, rajoni i Luhansk, në të cilin, sipas pretendimeve ruse, u vranë gjashtë të rinj dhe u plagosën dhjetëra të rinj.

Putin tha se sulmi goditi një shtëpi në qytetin Starobilsk, në territorin e kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore, dhe vlerësoi se ushtria ukrainase "nuk mund të mos e dinte se çfarë po synonte".

"Nuk ka objekte ushtarake, shërbime inteligjence apo struktura të ngjashme aty pranë. Prandaj, nuk ka bazë për të pretenduar se municionet ose raketat e kanë goditur ndërtesën si rezultat i mbrojtjes ajrore ose luftës elektronike. Sulmi nuk ishte i rastësishëm, ai u krye në tre valë me 16 dronë që synonin të njëjtin vend", tha Putin, sipas Reuters.

Ai shtoi se ushtrisë iu dha urdhër të zhvillonte opsione për një përgjigje ruse.Reuters nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur akuzat për sulmin dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë lajm nga Kievi. Ukraina dëshiron të rimarrë kontrollin mbi rajonin e Luhanskut, i cili u aneksua në mënyrë të njëanshme nga Rusia në vitin 2022.

Të dyja palët në konflikt i hedhin poshtë akuzat se po i shënjestrojnë qëllimisht civilët.

Sipas zyrtarëve rusë, në kohën e sulmit, në konviktin e studentëve ndodheshin rreth 86 adoleshentë të moshës 14 deri në 18 vjeç.

Kremlini e quajti sulmin një "krim monstruoz", ndërsa Moska njoftoi se incidenti do të diskutohej në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.