Real Madridi konfirmon largimin e Alabës, fundi i një epoke në ‘Santiago Bernabeu’
Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht se mbrojtësi David Alaba do të largohet nga klubi në fund të sezonit, duke i dhënë fund aventurës pesëvjeçare në “Santiago Bernabeu”.
Gjiganti madrilen ka nisur një revolucion të madh në skuadër, ku përveç afrimeve të reja, drejtuesit po fokusohen edhe te largimet e disa futbollistëve me eksperiencë.
Pas emrave si Dani Carvajal dhe Alvaro Arbeloa, tani radha i ka ardhur edhe mbrojtësit austriak.
Në komunikatën zyrtare, Real Madridi bëri të ditur se marrëveshja me Alabën do të përfundojë në fund të këtij sezoni.
“Real Madridi dhe David Alaba kanë rënë dakord që bashkëpunimi të përfundojë në fund të sezonit. Klubi e falënderon lojtarin për kontributin e tij gjatë një prej periudhave më të suksesshme në historinë tonë”, thuhet në deklaratë.
David Alaba iu bashkua madrilenëve nga Bayern Munich pesë vite më parë, por dëmtimet e shumta ndikuan që ai të mos arrinte kurrë nivelin që kishte treguar në Gjermani.
Gjatë qëndrimit te Real Madridi, mbrojtësi zhvilloi 131 ndeshje dhe fitoi plot 11 trofe, duke qenë pjesë e sukseseve të mëdha të klubit madrilen në vitet e fundit.
Tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës për David Alabën, ndërsa Real Madridi pritet të vazhdojë me ndryshime të mëdha në skuadër gjatë merkatos verore.