Guardiola emocionohet nga mesazhi i Ferguson, fjalët që e prekën
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka zbuluar se ka marrë një mesazh special nga legjenda e Manchester United, Sir Alex Ferguson, në prag të largimit të tij nga “Etihad Stadium”.
Në konferencën e fundit për mediat, Guardiola pranoi se mesazhi i Fergusonit ishte një nga komplimentet më të mëdha që ka marrë në karrierën e tij si trajner.
“Një nga komplimentet më të mëdha që kam marrë ishte mesazhi nga Sir Alex Ferguson. Kjo më bëri shumë të lumtur”, deklaroi tekniku spanjoll.
Sipas Guardiolës, ish-trajneri legjendar i Manchester United e kishte uruar për sukseset dhe rrugëtimin e jashtëzakonshëm në krye të Manchester Cityt.
“Urime për gjithçka që keni arritur. Kjo do të thotë shumë për mua”, tregoi Guardiola për përmbajtjen e mesazhit.
Me humor, ai shtoi se kishte pak vështirësi për ta kuptuar theksin skocez të Fergusonit, por konfirmoi se planifikon ta telefonojë personalisht për ta falënderuar.
Marrëdhënia mes dy emrave të mëdhenj të futbollit ka evoluar ndër vite, duke kaluar nga rivaliteti i fortë në respekt të ndërsjellë.
Ferguson dikur e quante Manchester City “fqinjët zhurmues”, ndërsa sot Guardiola beson se klubi i tij shihet ndryshe nga trajneri legjendar skocez.
Dy trajnerët janë përballur në finalet e Champions League në vitet 2009 dhe 2011, kur Barcelona e drejtuar nga Guardiola mposhti Manchester United.
Pas atyre finaleve, Sir Alex Ferguson e kishte cilësuar skuadrën e Guardiolës si ekipin më të mirë me të cilin ishte përballur ndonjëherë në karrierën e tij.