Neuer mungon në finalen e madhe, Bayern merr vendimin për portierin legjendar
Kapiteni i Bayern Munich, Manuel Neuer, nuk do të zbresë në fushë në finalen e Kupës së Gjermanisë kundër Stuttgart, që do të zhvillohet të shtunën në Berlin.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, portieri 40-vjeçar vazhdon të ketë shqetësime në pulpë dhe stafi mjekësor i klubit ka vendosur të mos rrezikojë me aktivizimin e tij në një ndeshje kaq të rëndësishme.
Megjithatë, mungesa e Neuer nuk lidhet me një dëmtim serioz, por më shumë me një masë parandaluese për të shmangur komplikime të mundshme para sezonit të ardhshëm dhe mbi të gjitha para Kupës së Botës 2026.
Legjenda e Bayern Munich konsiderohet ende si portieri numër një i kombëtares së Gjermanisë dhe synimi i tij kryesor mbetet të jetë në formën më të mirë për Botërorin.
Edhe pse nuk do të luajë, Neuer do të udhëtojë me skuadrën drejt Berlinit për të qenë pranë ekipit në finalen e madhe.
Në mungesë të tij, porta e bavarezëve pritet t’i besohet talentit të ri Jonas Urbig, i cili do të ketë një mundësi të artë për të treguar vlerat e tij në një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit.
Finalja mes Bayern Munich dhe Stuttgart pritet me interes të madh nga tifozët në Berlin, ndërsa mungesa e Neuer mbetet një nga temat më të komentuara para përballjes.