Andres Iniesta nis aventurën si trajner në Dubai
Legjenda e Barcelonës, Andres Iniesta, është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë si trajner.
Ish-mesfushori spanjoll pritet të marrë drejtimin e klubit Gulf United në divizionin e dytë të Emiratet e Bashkuara Arabe.
42-vjeçari u tërhoq nga futbolli aktiv dy vite më parë dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë i fokusuar në marrjen e licencave të trajningut.
Ndryshe nga ish-shoku i tij te Barcelona, Xavi Hernandez, Iniesta nuk ishte parë fillimisht si një emër që do të ndiqte karrierën e trajnerit.
Së fundmi, Iniesta dhe Xavi u përfolën për një projekt te kombëtarja e Marokut, por negociatat nuk u finalizuan.
Tani, sipas raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano, marrëveshja me Gulf United është arritur dhe zyrtarizimi pritet shumë shpejt.
Klubi nga Dubai është themeluar vetëm shtatë vite më parë dhe fokusohet kryesisht në zhvillimin e talenteve të rinj. Megjithatë, në skuadër kanë luajtur edhe emra të njohur nga futbolli europian si suedezi Robin Quaison dhe holandezi Leroy Fer.
Iniesta ka deklaruar më herët se për të, gjëja më e rëndësishme si trajner është mënyra e transmetimit të ideve dhe menaxhimi i grupit.
Ai duket se po ndjek një rrugë të ngjashme me Xavin, i cili e nisi karrierën si trajner te Al Sadd në Katar.
Nëse aventura e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe rezulton e suksesshme, nuk përjashtohet mundësia që një ditë Andres Iniesta të rikthehet te Barcelona, këtë herë në stol si trajner.