Hantavirusi mori vëmendje botërore, po nënvlerësohet Ebola, kreu i OBSH-së jep alarmin
Do të ishte gabim të nënvlerësohej rreziku që paraqet shpërthimi i Ebola, deklaroi të premten drejtori rajonal i OBSH-së për Afrikën, duke paralajmëruar se edhe një rast i vetëm mund ta përhapë virusin përtej Republikës Demokratike të Kongos dhe Ugandës.
Shpërthimi ka shkaktuar 160 vdekje të dyshuara nga 670 raste të dyshuara, ndërsa 61 raste janë konfirmuar, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë së Kongos të publikuara të enjten. Dy raste janë konfirmuar gjithashtu në Ugandën fqinje,
“Do të ishte një gabim i madh ta nënvlerësonim, veçanërisht me një virus të këtij varianti, Bundibugyo, (lloj ebole) për të cilin nuk kemi vaksinë,” tha Mohamed Yakub Janabi në një intervistë në selinë e OBSH-së në Geneva.
“Prandaj do t’i inkurajoja vërtet të gjithë, le të ndihmojmë njëri-tjetrin që ta vëmë situatën nën kontroll,” shtoi ai.
Ai tha se shpërthimi i Ebolës në Kongo ka marrë relativisht pak vëmendje globale krahasuar me shpërthimin e hantavirusit, i cili preku pasagjerë të anijeve turistike nga 23 vende, përfshirë fuqi të mëdha botërore.
“Mjafton vetëm një rast kontakti për të na vënë të gjithëve në rrezik, ndaj dëshira dhe lutja ime është që Ebolës t’i kushtohet vëmendja që meriton,” tha ai.
Ebola është një virus shpesh fatal që shkakton temperaturë, dhimbje trupi, të vjella dhe diarre. Ai përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar, materialeve të kontaminuara ose personave që kanë vdekur nga sëmundja.
Ende po vlerësohet shkalla e shpërthimit
Janabi refuzoi të komentojë mbi kohëzgjatjen dhe përmasat e pritshme të shpërthimit aktual, duke thënë se ekspertët në terren po vazhdojnë vlerësimin e situatës.
“Lëvizja shumë dinamike e njerëzve” e bën të vështirë vlerësimin e situatës, tha ai, duke shtuar se janë duke u zhvilluar përpjekje për të rritur testimet, masat parandaluese ndaj infeksionit dhe angazhimin e komunitetit.
Një mosmarrëveshje mbi trupin e një viktime, që çoi në djegien e tendave të trajtimit për Ebolën, tregoi rëndësinë e ndërtimit të besimit te komuniteti, tha ai.
“Po përpiqemi të luftojmë në të dy frontet,” tha ai, duke iu referuar vetë virusit dhe dezinformimit që qarkullon mes popullsisë lokale lidhur me sëmundjen.
“Nëse je një vizitor i zakonshëm në Kupën e Botës nga vende të ndryshme të botës, mendoj se rreziku për t’u ekspozuar ndaj Ebolës është shumë i ulët.”
Një tjetër sfidë, shtoi ai, është fakti se epidemiologët ende nuk kanë identifikuar personin e parë të infektuar, gjë që është e rëndësishme për identifikimin dhe izolimin e rrjetit fillestar të kontakteve./ Reuters