Man. City nderon Guardiolën me statujë dhe tribunë me emrin e tij

Manchester City ka vendosur të nderojë trajnerin Pep Guardiola duke i kushtuar një tribunë dhe një statujë në stadiumin ‘Etihad’, pas largimit të tij nga klubi në fund të sezonit.

Sipas njoftimit zyrtar, tribuna veriore e stadiumit do të marrë emrin “Tribuna Pep Guardiola”, ndërsa jashtë stadiumit do të vendoset një statujë në nder të trajnerit katalanas. Vendimi iu komunikua Guardiolës nga presidenti i klubit, Khaldoon Al Mubarak.

Guardiola, 55 vjeç, do të largohet pas një dekade të suksesshme në Manchester, ku u bë trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit. Gjatë kësaj periudhe ai fitoi 20 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Premier League dhe Ligën e parë të Kampionëve në historinë e klubit anglez.

Pronari i klubit, Sheikh Mansour, vlerësoi ndikimin e madh të trajnerit, duke thënë se Guardiola ka lënë një gjurmë të thellë në identitetin e klubit dhe mënyrën e tij të lojës. Sipas tij, suksesi i Guardiolës nuk matet vetëm me trofetë, por edhe me mënyrën se si ai transformoi ekipin.

Hapja e tribunës së re dhe vendosja e statujës do të përkojnë me ndeshjen e fundit të Guardiolës, të dielën kundër Aston Villa-s, ku tifozët do të kenë mundësinë të nderojnë trajnerin.

Drejtuesit e klubit theksuan se kjo është një mënyrë për të ruajtur përgjithmonë trashëgiminë e tij në historinë e Manchester City-t dhe të futbollit anglez.