Vodhën bizhu me vlerë 70 mijë euro, 2 muaj paraburgim për autorin e dyshuar të grabitjes në Kamzë

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke lënë në burg me afat 60 ditor, 22 vjeçarin Elez Hysa, një nga grabitësit e dyshuar të argjendarisë në Kamëz. 

I riu ka pretenduar në Gjykatë se nuk ka lidhje me ngjarjen, dhe se ka qenë në banesë në momentin kur ka ndodhur grabitja.

“Banesa ime me vendin ku ka ndodhur ngjarja është 47 km larg pasi jetoj në Malësinë e Krujës. Motorri im nuk ka përmasat e mjetit të përdorur nga autorët”, tha 22 vjeçari. 

Policia arrestoi Elezin si një nga autorët e grabitjes, teksa gjatë hetimeve ka gjetur pranë banesës së tij veshje të ngjashme me ato të përdorura në krim pjesërisht të djegura dhe kuti boje që përkojnë me ngjyrën e motorrit me të cilën dyshohet të jetë modifikuar. Kamerat e sigurisë e çuan policinë drejt zonës ku banonte Elezi gjatë ndjekjes së itinerarit që kanë përdorur për tu larguar. 

22-vjeçari rezulton me precedent penal për kultivim të lëndëve narkotike. Policia ka identifikuar edhe autorin tjetër të dyshuar dhe po punon për lokalizimin e arrestimin e tij.

Deri më tani nuk janë gjetur motori i përdorur në grabitje apo arma e zjarrit me të cilën ka kërcënuar punonjësen e argjendarisë ku morën sende me vlerë rreth 70 mijë euro.

Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës, 16 maj, ku autorët e armatosur dhe me skafandër motori në kokë u futën në argjendari dhe në më pak se një minutë vodhën bizhuteri, vlera e cila përllogaritet deri në 700 mijë lekë, informon gazetari Fatjon Gjinaj.