Zbulohet arsyeja pse Tuchel la jashtë litës së Anglisë ‘yllin’ e Chelsea-t
Thomas Tuchel ka marrë një nga vendimet më të diskutuara për listën e Anglisë për Botërorin 2026, duke lënë jashtë Cole Palmer-in. Sipas raportimeve nga mediet angleze, tekniku gjerman nuk është plotësisht i bindur nga personaliteti i sulmuesit të Chelsea-t dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në përjashtimin e tij nga lista finale.
Palmer zhvilloi një sezon me ulje-ngritje te Chelsea, duke realizuar 10 gola, por Tuchel duket se i ka dhënë prioritet karakterit dhe ndikimit në grup përpara cilësive teknike. I njëjti mendim raportohet se ekziston edhe për Phil Foden, i cili gjithashtu mbeti jashtë skuadrës pas një sezoni zhgënjyes me Manchester City-t.
Në vend të tyre, Tuchel ka preferuar futbollistë me eksperiencë dhe personalitet të fortë në dhomat e zhveshjes, si Jordan Henderson dhe Dan Burn. Të dy konsiderohen figura me ndikim të madh brenda grupit, edhe pse zgjedhjet e tyre nuk janë pritur mirë nga një pjesë e tifozëve anglezë.
Mungesa e Palmer-it përbën një tjetër goditje për 24-vjeçarin, i cili sezonin e kaluar ishte një nga protagonistët e Anglisë në Euro 2024, duke shënuar golin e barazimit në finalen ndaj Spanjës. Megjithatë, forma jo e qëndrueshme dhe problemet fizike gjatë sezonit duket se kanë ndikuar në vendimin e trajnerit.
Ndërkohë, e ardhmja e Palmer-it te Chelsea mbetet e paqartë. Futbollisti nuk ndihet plotësisht i ambientuar në Londër dhe shpesh rikthehet në vendlindjen e tij, Wythenshawe. Sipas raportimeve, ai do të ishte i hapur për një transferim te Manchester United, klub që ka mbështetur që në fëmijëri, edhe pse “Djajtë e Kuq” aktualisht nuk po kërkojnë një organizator ofensiv me këmbë të majtë.