Shpopullimi/ Shqipëria po zbrazet nga emigrimi, vetëm në 2024 janë larguar 29 000 banorë

Shqipëria po përballet me një krizë të heshtur, por tepër të rrezikshme: shpopullimin.

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se për çdo 1000 banorë popullsia e Shqipërisë u reduktua me 12 veta në vitin 2024 që përfaqëson shkallën bruto të migrimit neto, duke dëshmuar që vendi po kalon një tkurrje të pashembullt në kohë paqeje.

Kjo shifër do të thotë se vetëm brenda vitit 2024, Shqipëria ka humbur rreth 29,000 banorë si pasojë e emigrimit.

Vendi po tkurret vit pas viti, ndërsa të rinjtë vazhdojnë të largohen dhe lindjet kanë rënë në nivelet më të ulëta historike.

Për herë të parë, emigracioni dhe rënia e lindshmërisë po godasin njëkohësisht vendin, duke e çuar Shqipërinë drejt plakjes së shpejtë dhe mungesës së fuqisë punëtore.

Sipas të dhënave, Shqipëria humbet çdo vit popullsinë e një qyteti të tërë si Lezha apo Kavaja.

Ndërkohë që vendet e Europës Lindore, dikur me probleme të ngjashme, kanë arritur ta përmbysin këtë trend, Shqipëria mbetet në vendnumëro.

Estonia dhe Lituania kanë rikthyer emigrantët përmes investimeve në teknologji, paga më të larta dhe politika moderne zhvillimi. Polonia dhe Hungaria investuan fort tek familjet e reja dhe ekonomia prodhuese, duke u kthyer nga vende emigrimi në qendra punësimi.

Në Shqipëri, ekspertët kritikojnë mungesën e një strategjie reale për të ndalur largimin masiv. Ekonomia e mbështetur kryesisht tek turizmi dhe pagat e ulëta nuk po krijojnë siguri për të rinjtë.

Qeveria akuzohet se prej vitesh nuk ka ndërtuar politika efektive për kthimin e emigrantëve apo mbështetjen e familjeve të reja.

Ndërsa vendet e rajonit po stabilizojnë popullsinë, Shqipëria vazhdon të humbasë njerëzit e saj më aktivë. Dhe alarmi tashmë nuk është vetëm ekonomik, por edhe kombëtar: një vend që zbrazet çdo vit, rrezikon të humbasë jo vetëm fuqinë punëtore, por edhe të ardhmen e tij.