Nga ARRSH tek AKSHI/ Konfindustria: Kompanitë e huaja po përjashtohen nga tenderët në Shqipëri!
“Në prokurimet publike të organizuara nga agjencitë dhe kompanitë shtetërore është vështirësuar deri në pamundësi faktike, pjesëmarrja e operatorëve të huaj në gara”.
Ky është shqetësimi dhe paralajmërimi i ngritur shqetësimin nga Konfindustria, lidhur me përjashtimin e kompanive të huaja nga tenderët publikë në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si pengesë serioze për konkurrencën dhe procesin e integrimit europian.
Përmes një njoftimi për shtyp, kreu i Konfindustria, Gjergj Buxhuku deklaron se në prokurimet publike të organizuara nga agjenci dhe kompani shtetërore është vështirësuar deri në pamundësi faktike pjesëmarrja e operatorëve të huaj. Sipas saj, pengesat krijohen përmes akteve nënligjore subjektive, që bien ndesh me standardet e Bashkimit Europian dhe favorizojnë fenomene të “kapjes së shtetit”.
Konfindustria përmend dy tenderët ndërkombëtarë me vlerë rreth 70 milionë euro për projektet e “Bypass-it të Elbasanit”, të organizuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Sipas saj, operatorëve të huaj u kërkohet që brenda 30 ditësh të kryejnë ekuivalentimin e licencave profesionale pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që vetë procedura e shqyrtimit tejkalon këtë afat.
“Përjashtimi i operatorëve të huaj dëmton interesin publik dhe ekonominë, duke rritur kostot e projekteve deri në 2.3 herë më shumë se standardet e BE-së, si dhe duke ndikuar në uljen e cilësisë së punimeve infrastrukturore.
Sipas Konfindustrisë, sektorët më të prekur nga kjo situatë janë infrastruktura, energjia dhe teknologjia, ku përfshihen institucione si ARRSH, hekurudhat, portet, OST, OSHEE, KESH dhe AKSHI”, thekson kreu i Konfindustria, Gjergj Buxhuku.
Reagimi i plotë:
Konfindustria vlerëson, se në prokurimet publike të organizuara nga agjencitë dhe kompanitë shtetërore është vështirësuar deri në pamundësi faktike pjesëmarrja e operatorëve të huaj në gara. Pengesat janë qartësisht të tipit të korrupsionit të “kapjes së shtetit/state capture” me akte nënligjore subjektive tërësisht kundër standardeve të procesit të integrimit në BE.
Shembull i qartë janë termat e referencave të vendosura në dy tenderat ndërkmbëtarë prej afër 70 milionë euro për projektet e “Bypass të Elbasanit” të përgatitura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në mënyrë absurde në afatin kufi prej 30 ditësh pjesëmarrësve të huaj u kërkohet si kushti detyrueshëm pjesëmarrje në tender ekuivalentimi i licencave profesionale nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, vetë procesi kohor i shqyrtimit për ekuivalentimin paraprak të licencave tejkalon afatin e detyrueshëm të përcaktuar në termat e referencës.
Përjashtimi i operatorëve të huaj prek drejtpërdrejtë interesin publik, ekonominë kombëtare, shtim të ndjeshëm kostosh financiare deri në 2,3 herë më të shtrenjtë se BE. Gjithashtu, shmangia e konkurrencës ka si pasojë punime jashtë standardeve mjaft të dukshme në rënie rrugësh, tunelesh, etj. me qindra milionë dëme.
Sa më sipër sjell deri në cenim të detyrimeve politike të Shqipërisë pjesë e rëndësishme të integrimit në BE, duke e vështirësuar ndjeshëm vetë procesin.
Sektorët më të prekur nga dukuria sistematike e përjashtimit të operatorëve të huaj nga tenderimi në Shqipëri janë përkatësisht:
– Infrastruktura( Autoriteti Rrugor, hekurudha, porte, etj)
– Energjia( OST, OSHEE, KESH)
– Teknologjisë( AKSHI)