Ndryshim i madh në horizont te Milani, Cardinale projekton ekipin e ri me Goretzka-n dhe blindon Allegrin
Milani po përgatitet për një revolucion të vërtetë në strukturë dhe në skuadër. Pronari i RedBird Capital Partners, Gerry Cardinale, pritet të nisë nga java e ardhshme ndërtimin e projektit për sezonin 2026-27, me qëllim kthimin e klubit kuqezi në majat e futbollit italian dhe evropian.
Sipas planeve të reja, një nga prioritetet kryesore është konfirmimi i trajnerit Massimiliano Allegri, i cili konsiderohet boshti i projektit sportiv. Me arritjen e zonës Champions League, kontrata e tij do të zgjatet automatikisht, ndërsa drejtuesit duan ta bëjnë të qartë se ai është qendra e projektit të ri.
Cardinale pritet të zhvillojë takime vendimtare në Milano, ku do të diskutohet jo vetëm e ardhmja e trajnerit, por edhe ndryshime të rëndësishme në strukturën drejtuese të klubit. Një nga emrat që përmendet si largim i mundshëm është administratori aktual, Giorgio Furlani, ndërsa nuk përjashtohen riorganizime të tjera në hierarki.
Në aspektin e merkatos, emri i parë i madh që lidhet me Milanin është mesfushori gjerman, Leon Goretzka, i cili mund të mbërrijë si lojtar i lirë nga Bayerni. Ai shihet si një përforcim me përvojë dhe lidership për mesfushën kuqezi.
Në sulm, drejtuesit po kërkojnë një qendërsulmues të nivelit Champions, me emra si Gonçalo Ramos, Guirassy, Jackson dhe Sorloth në listë, ndërsa mbetet edhe emri i Dusan Vlahović-it.
Në krahun tjetër, një nga çështjet më të rëndësishme është e ardhmja e Rafael Leão-s. Sipas raportimeve, klubi nuk e konsideron më të pashitshëm portugezin dhe është i gatshëm ta shesë nëse vjen një ofertë e rëndësishme. Interes për të kanë shfaqur disa klube të mëdha evropiane, ndërsa vetë lojtari po shqyrton opsionet për të ardhmen.
Projektit të ri i shtohet edhe ideja e përfshirjes së figurave me peshë në strukturë, përfshirë emra si Igli Tare apo Adriano Galliani, të cilët mund të kenë rol të rëndësishëm në administrimin e klubit.
Në Milano po përgatitet një verë vendimtare për të ardhmen e Milanit, ku çdo vendim mund të përcaktojë drejtimin e ri të një prej klubeve më të mëdha në Europë.