Laporta kërcënon Perez-in: Nuk do të lejojmë që të përdorin Barçën për të fshehur problemet e veta
Presidenti i Barcelonë, Joan Laporta, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të homologut të tij te Real Madridi, Florentino Pérez, duke ndezur edhe më shumë tensionin mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll.
Gjatë një aktiviteti publik, Laporta e cilësoi konferencën për shtyp të Florentino Pérez-it si “të çuditshme dhe teatrale”, duke akuzuar drejtuesin madrilen për një strategji të qëllimshme për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e klubit.
“Besoj se ishte një konferencë e çuditshme, por kishte një strategji. Po përpiqen të largojnë vëmendjen nga dy vite pa fituar asgjë dhe kjo i shqetëson shumë. Në një farë mënyre, duhet të justifikojnë të pajustifikueshmen dhe mënyra më e mirë është të hapin ‘ventilatorin e problemeve’ dhe të hedhin gjithçka mbi Barcelonën. Kjo nuk do të lejohet”, deklaroi Laporta.
Ai theksoi se Barcelona do të reagojë nëse klubi madrilen vazhdon të përfshijë “Blaugranat” në diskutime të tilla.
“Derisa nuk përdorin Barcelonën për të mbuluar problemet e tyre, unë i respektoj. Por kur e përdorin, ne reagojmë. Nuk do ta lejojmë këtë”, shtoi ai.
Laporta gjithashtu theksoi se marrëdhëniet mes dy klubeve janë të tensionuara që prej çështjes së njohur si “Caso Negreira”, duke shtuar se situata aktuale është larg normalitetit.
Presidenti katalanas nuk kurseu as ironinë, duke thënë se në Madrid ekziston “barcelonitis”, një obsesion i tepruar me Barcelonën.
“Ne jemi të fokusuar te Barça. Barça është pasioni ynë dhe jemi në rrugë të mirë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe sportiv. Kur ata kanë ‘barcelonitis’, për ne është shenjë e mirë”, u shpreh Laporta.
Ai foli edhe për merkaton dhe ndryshimet në skuadër, duke përmendur largimin e Robert Lewandowski-t dhe nevojën për përforcime të kujdesshme nën drejtimin e drejtorit sportiv Deco.
“Nuk duhet të bëjmë blerje për spektakël. Duhet të jemi të qetë dhe të zgjuar. Nuk do ta hedhim klubin në shpenzime të pakontrolluara”, përfundoi Laporta.