Mbrojtësi spanjoll i jep fund karrierës si futbollist profesionist

Mbrojtësi spanjoll, César Azpilicueta, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli i luajtur, duke deklaruar se ky sezon do të jetë i fundit në karrierën e tij profesionale.

Përmes një letre të publikuar në rrjetin social X, 34-vjeçari u shpreh se ka ardhur momenti për të nisur një kapitull të ri në jetën e tij pas më shumë se dy dekadash në futbollin elitar.

“I dashur futboll, sot dua të ndaj me ty se ky sezon do të jetë i fundit si futbollist profesionist. Pas shumë vitesh duke jetuar ëndrrën time, ndiej se është koha për të nisur një kapitull të ri në jetën time”, ka shkruar Azpilicueta.

Ai theksoi se, ndonëse ishte përgatitur për këtë moment, ndarja me futbollin nuk ka qenë e lehtë. Sipas tij, pas 20 sezonesh ka shumë njerëz që kanë pasur rol të rëndësishëm në karrierën e tij dhe në formimin e tij si lojtar dhe si njeri.

Azpilicueta kujtoi edhe fillimet e tij në Pamplona, ku nisi të luante futboll me shokët e shkollës, pa e imagjinuar rrugëtimin e jashtëzakonshëm që e priste më pas.

Ai u shpreh mirënjohës për të gjitha përvojat, duke përfshirë fitoret, humbjet dhe sfidat, si dhe për njerëzit që ka takuar gjatë karrierës së tij.

Në mesazhin e tij të lamtumirës, ish-mbrojtësi falënderoi të gjitha klubet ku ka luajtur, përfshirë Osasuna, Olympique Marseille, Chelsea, Atlético Madrid dhe Sevilla, si dhe përfaqësimin e kombëtares së Spanjës në skenën ndërkombëtare.

“Ka qenë një privilegj i vërtetë të vesh këto fanella. Çdo moment ka pasur një kuptim të veçantë për mua”, përfundoi ai mesazhin e tij emocionues.