Milani prezanton fanellën e re për sezonin 2026/27, Leao, Pulisic dhe Modric në qendër të fushatës

Milani ka prezantuar zyrtarisht fanellën e re “home” për sezonin 2026/27, të prodhuar nga Puma. Fanella e re rikthen dizajnin klasik me vija të gjera kuqezi që përshkojnë të gjithë pjesën e përparme dhe të pasme, ndërsa rikthehen edhe pantallonat e bardha dhe çorapet e zeza.

Sipas klubit, vija të kuqezi nuk janë thjesht një element estetik, por një simbol i identitetit historik të Milanit. Në prezantim theksohet edhe mesazhi “From Milan to the World”, i cili u kushton nderim miliona tifozëve në mbarë botën që e ndiejnë klubin si shtëpinë e tyre.

Një detaj i veçantë i fanellës së re është edhe pjesa në qafë, ku ndodhet një vulë në stil dylli me stemën kuqezi, e konceptuar si një firmë autentike dhe simbol i traditës së klubit ndër breza. Sipas Milanit, të gjitha këto elemente e kthejnë fanellën në një “letër dashurie” për të gjithë ata që identifikohen me ngjyrat kuqezi.

Fanella e re do të debutojë zyrtarisht të dielën mbrëma në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Cagliari.

Në fushatën promovuese janë përfshirë disa nga emrat më të njohur të skuadrës si Rafael Leão dhe Christian Pulisic, si dhe mesfushori veteran Luka Modric, i cili mbetet në qendër të spekulimeve për të ardhmen e tij.