Dosja Balluku/ Ish drejtori i KESH, Erald Elezi lë pas dy orësh ambientet e SPAK
Ish drejtori i Korporatës Energjitike Shqiptare, Erald Elezi është paraqitur paraditen e kësaj të premteje, 22 maj, në SPAK ku ka dalë pas dy orësh nga organi procedues.
Erald Elezi është pyetur për rreth dy orë në Prokurorinë e Posaçme, një ditë pas dëshmisë që ka dhënë kreu i Hekurudhave Ergys Verdho, raporton gazetari i Syri Fatjon Gjinaj.
Burime bëjnë me dije se dëshmia është dhënë në cilësinë e personit në dijeni, teksa mbrojtja konfirmoi se “ka dhënë deklarime për një çështje të vjetër”.
Elezi ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, ndërsa është vënë në hetim në kuadër të dosjes së ish zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë, Belinda Balluku.
Elezi është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), ndërsa akuzohet për tenderin e tunelit të Llogarasë, çështje për të cilën u mor e pandehur edhe ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Hetimet janë zhvilluar mbi bazën e materialeve të sekuestruara në celularin e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi.
SPAK ka nisur gjithashtu hetimin pasuror ndaj 25 të dyshuarve, mes të cilëve 22 individë dhe 3 subjekte (kompani).
Ndër fondet dhe tenderat e dyshuara për abuzim janë edhe ato të eficiencës së energjisë elektrike, të subvencionuara nga Bashkimi Europian.
SPAK vijon hetimet edhe për një tjetër fraksion që përfshin zyrtarë të lartë. Në kohën e kryerjes së veprës penale, Gyli dhe Elezi ishin anëtarë të KVO-së, në varësi të Berberit.