Katër jetë të humbura në aksidentin fatal në Shkup – Viktimat janë shkrumbuar
Katër persona humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi mbrëmë në unazën e Shkupit, në segmentin mes mbikalimit të Vizbegovës dhe nyjës së Mirkovcit, pasi një kamion me targa të Kosovës doli në korsinë e kundërt dhe u përplas frontal me një veturë “BMW”.
Nga MPB e Maqedonisë së Veriut, njoftojnë se rasti është regjistruar më 21 maj 2026, rreth orës 23:00. Sipas të dhënave, drejtuesi i kamionit “MAN”, 76-vjeçari B.B. nga Kosova, ka humbur kontrollin, ka kaluar mbi gardhin ndarës dhe ka hyrë në kahun e kundërt, ku është përplasur me automjetin e drejtuar nga 51-vjeçari R.V. nga Shkupi.
Përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, duke bërë që automjeti të përfshihej menjëherë nga flakët. Nga makina ka mbetur vetëm skeleti metalik, ndërsa rruga vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të hetimeve intensive që po zhvillohen nga policia, prokuroria dhe ekipet e mjekësisë ligjore.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë drejtuesi i veturës dhe dy pasagjerë të rinj, ndërsa një viktimë tjetër ende nuk është identifikuar. Vdekjen e ka konstatuar ekipi i urgjencës, ndërsa trupat janë dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit.
Shoferi i kamionit është ndaluar nga policia dhe ndaj tij pritet procedurë përkatëse pas përfundimit të hetimeve. Për shkak të ekspertizës në terren, trafiku në këtë pjesë ka qenë i devijuar deri në orët e mëngjesit.
Sipas burimeve policore, nga ajo që është konstatuar deri tani në terren, gjasat çojnë drejt dyshimit se automjeti drejtohej nga një grua, por për shkak të djegies së plotë të veturës dhe gjendjes së rëndë në të cilën janë gjetur kufomat, thuajse në eshtra, identifikimi zyrtar do të jetë tepër i vështirë, si dhe nevojën e obduksionit.