Trajneri i famshëm argjentinas njofton largimin nga Uruguai pas Botërorit 2026
Marcelo Bielsa ka konfirmuar se do të largohet nga drejtimi i Uruguait pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
Trajneri 70-vjeçar e bëri të ditur vendimin gjatë një aktiviteti të organizuar nga Federata e Uruguait, ku foli për fundin e aventurës së tij me kombëtaren “Celeste”.
“Puna jonë do të përfundojë me Botërorin. Është një mrekulli në karrierën sportive të çdo profesionisti të marrë pjesë në një Kupë Bote”, deklaroi Bielsa.
Kontrata e teknikut argjentinas skadon pas turneut dhe ai nuk ka ndër mend ta rinovojë atë. Largimi i tij do të shënojë fundin e një cikli që nisi në maj të vitit 2023.
Që nga marrja e drejtimit të Uruguait, Bielsa ka udhëhequr skuadrën në 35 ndeshje, duke regjistruar 15 fitore, 13 barazime dhe shtatë humbje. Nën drejtimin e tij, Uruguai siguroi kualifikimin për Botërorin 2026 duke e mbyllur fazën eliminatore në vendin e katërt me 28 pikë, po aq sa Brazili.
“Do t’i jem përjetësisht mirënjohës Uruguait që po më lejon të shijoj një kompeticion si ky”, shtoi trajneri argjentinas.
Në Kupën e Botës, Uruguai bën pjesë në Grupin H së bashku me Spanjën, Arabinë Saudite dhe Kepi Verde. Ndeshja e parë e skuadrës së Bielsa-s do të luhet më 15 qershor, në Miami, ndaj Arabisë Saudite.
Gjatë fjalimit të tij, Bielsa foli edhe për identitetin e futbollit uruguaian, duke kujtuar një koment të ish-legjendës Hugo de León.
“Më pëlqeu shumë kur tha se ‘Uruguai nuk propozon, por përgjigjet’. Ishte një mënyrë shumë e mençur për të përshkruar futbollin uruguaian”, u shpreh Bielsa.
Ai theksoi se për një trajner që punon në një vend që nuk është i tij, është shumë e rëndësishme të kuptojë shpirtin dhe identitetin e futbollit të atij kombi.