Tuchel ‘çmend’ anglezët, Arnold, Palmer e Foden mbeten jashtë Botërorit, rikthehet veterani Henderson

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka shkaktuar surpriza të mëdha me listën prej 26 futbollistësh për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Vendimet e Tuchel-it kanë habitur tifozët, pasi jashtë skuadrës kanë mbetur emra të njohur si Cole Palmer, Harry Maguire dhe Phil Foden.

Një tjetër mungesë surprizë është edhe Morgan Gibbs-White, ndërsa tekniku gjerman ka vendosur të rikthejë në kombëtare veteranin Jordan Henderson dhe të grumbullojë sulmuesin Ivan Toney, që aktivizohet në Arabinë Saudite.

Në repartin e portës pritet të konfirmohet si titullar Jordan Pickford, i shoqëruar nga Dean Henderson dhe James Trafford.

Në mbrojtje, Tuchel duket se do të mbështetet te eksperienca e John Stones, ndërsa pjesë e repartit defensiv pritet të jenë edhe Ezri Konsa, Marc Guehi, Dan Burn dhe talenti i ri Jarell Quansah.

Mesfusha do të udhëhiqet nga Declan Rice dhe Jude Bellingham, ndërsa alternativa pritet të jenë Elliot Anderson dhe Kobbie Mainoo.

Në sulm, vendin e titullarit të padiskutueshëm vazhdon ta ketë kapiteni Harry Kane. Pranë tij do të jenë emra si Bukayo Saka, Marcus Rashford, Anthony Gordon dhe Ollie Watkins.

Vendimet e Tuchel-it kanë hapur debat të madh në Angli. Disa analistë kanë vlerësuar guximin e trajnerit gjerman, ndërsa të tjerë besojnë se skuadra nuk duket mjaftueshëm e balancuar për të fituar Kupën e Botës.

Gjithsesi, Anglia do të hyjë në turne me objektivin për t’i dhënë fund pritjes 60-vjeçare për triumfin në Botëror.