Napoli nuk humb kohë, kontakton Allegrin për të zëvendësuar Antonio Conten
Napoli ka nisur lëvizjet për të ardhmen e pankinës, teksa sipas raportimeve në Itali, klubi ka hyrë në bisedime me trajnerin Massimiliano Allegri për të pasuar Antonio Conten.
Sipas mediave italiane, drejtori sportiv Giovanni Manna ka udhëtuar drejt Milanos për një takim me Allegrin, duke shtuar spekulimet për një ndryshim të mundshëm në stolin e Napolit.
Conte ka dhënë sinjale të forta se mund të largohet në fund të sezonit, ndërsa në klub raportohet se atmosfera është bërë e tensionuar, deri në organizimin e një barbeque simbolik si një lloj “lamtumire” për trajnerin.
Ndërkohë, edhe pse Lazio dhe Milan janë përmendur në tregun e trajnerëve në Itali, gara për Allegrin duket se është fokusuar kryesisht mes Napolit dhe Milanit.
Sipas “Corriere della Sera”, presidenti Aurelio De Laurentiis ka autorizuar kontaktet direkte me trajnerin, ku është diskutuar edhe një kontratë dyvjeçare.
Nga ana tjetër, Milani kërkon ta mbajë Allegrin në projektin e tij, por trajneri raportohet se kërkon garanci të forta për merkato dhe stabilitet në drejtimin sportiv të klubit.
Në këtë fazë, vendimi final i Allegrit pritet të jetë vendimtar për drejtimin e dy prej klubeve më të mëdha të futbollit italian.