‘I tronditur dhe i zhgënjyer’, Maguire mbetet jashtë Botërorit me Anglinë
Mbrojtësi i Manchester United, Harry Maguire, pritet të mbetet jashtë listës përfundimtare të Anglisë për Kupën e Botës, në një vendim surprizë të trajnerit Thomas Tuchel.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, 33-vjeçari është ndjerë “i tronditur” dhe “thellësisht i zhgënjyer” nga përjashtimi, sidomos pas formës së mirë që ka treguar këtë sezon me klubin anglez.
Maguire është konsideruar prej vitesh një nga lojtarët kyç të kombëtares së Anglisë, duke qenë protagonist që nga Botërori i vitit 2018.
Megjithatë, ai kishte munguar edhe në Europianin 2024, ku anglezët arritën deri në finale.
Qendërmbrojtësi ka reaguar edhe në rrjetet sociale, ku shprehu hapur zhgënjimin për vendimin e Tuchel.
“Isha i bindur se mund të luaja një rol të rëndësishëm këtë verë për vendin tim pas sezonit që kam bërë. Jam i tronditur dhe i mërzitur nga ky vendim”, shkroi Maguire.
Ai shtoi se përfaqësimi i Anglisë ka qenë gjithmonë krenaria më e madhe në karrierën e tij dhe u uroi sukses bashkëlojtarëve për turneun.
Lista zyrtare e Anglisë për Botërorin pritet të publikohet të premten.