VIDEO-‘Nuk ka presion real nga jashtë’/ Tomorri: Qeveria nuk reagon ndaj raporteve të Bashkimit Evropian

Gazetari ekonomik Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar ndikimin e raporteve të Bashkimit Evropian mbi situatën politike në Shqipëri dhe efektin e tyre në qeverisje.

Tomorri u shpreh se shqiptarët nuk kanë nevojë për raporte ndërkombëtare për të kuptuar situatën në vend, duke theksuar se ‘veprat kanë më shumë vlerë se fjalët’ dhe se, sipas tij, realiteti politik është i njohur tashmë nga qytetarët.

Ai argumentoi se Bashkimi Evropian nuk ka aplikuar ndaj Shqipërisë masa të forta politike apo ekonomike, siç ka ndodhur në raste të tjera në rajon, duke përmendur Hungarinë si shembull krahasues.

Sipas Tomorrit, BE-ja ka qenë më e butë në qasjen ndaj Shqipërisë, pavarësisht problematikave që ai i cilëson serioze në fushën e ekonomisë, korrupsionit dhe procesit zgjedhor.

‘Shiko, unë kam një vlerësim, kam një mendim pak më ndryshe në fakt. Sepse ju me të drejtë shtroni pyetjen se si ato gjëra që shkruan Bashkimi Evropian mund të përkthehen në presion që të ndryshojë diçka në Shqipëri. Unë mendoj që shqiptarët nuk kishin nevojë të lexonin një raport të Bashkimit Evropian me gjuhë edhe të rënduar për të marrë vesh se çfarë ndodh në vendin e tyre. Dhe ajo që ka vlerë më shumë janë veprat dhe jo fjalët. Në këtë rast Edi Rama ka dalë i fituar me IBAR-in.

Sepse kur do Bashkimi Evropian të ngrejë zërin, siç i ngriti Orbanit, e vuri në cep aty, i ndërpreu çdo fond, e izoloi dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nuk e bën me Shqipërinë këtë. Që në Shqipëri situata është shumë më e keqe sesa ajo që ndodhte në Hungari. Sepse Hungaria nuk ishte narkoshtet siç është Shqipëria. Hungaria nuk kishte këtë vërshim të krijimit të organizuar të parave të pista në ekonominë e saj siç ndodh në Shqipëri. Por nuk e bëjnë në Shqipëri. Arsyeja se pse nuk e bëjnë, unë nuk e di. Ndoshta është edhe për meritë të Edi Ramës.

Nëse ti shikon shumë zyrtarë të Evropës, të cilët kanë pasur rastin të punojnë në Shqipëri, sot i ke nga njerëzit më të pasur. Duke filluar nga Federica Mogherini, duke filluar nga Romana Vlahutin e shumë të tjerë. Edi Rama është një mjeshtër i gjetjes së urave dhe kanaleve informale me lobimet e veta. Dhe unë nuk e di sa mund t’u vlejnë shqiptarëve sot fakti që Bashkimi Evropian u shkruan që ‘shiko, tek ju nuk bëhen zgjedhje të ndershme’. E dinë shqiptarët vetë këtë.

Çështja është si do ta detyrosh qeverinë, një qeveri të cilën tashmë kanë rënë dakord të gjithë që është një regjim i instaluar, që nuk mundet dhe nuk bën zgjedhje të ndershme, nuk mundet dot me votë, nuk ka garë të barabartë, që përdor gjithë shtetin, përdor krimin, përdor të gjitha resurset publike për të fituar zgjedhjet. A mjafton një opozitë sado perfekte të jetë ajo për ta mundur regjimin në këto kushte? Nuk mjafton. Sigurisht që do duhej ndihma nga jashtë, e cila nuk vjen.

Nuk vjen në mënyrë definitive sepse ata mund të shkruajnë në raporte, mund të na tregojnë atë që jemi keq. Unë sigurisht thashë: të mbyllet e gjithë ndihma financiare, të drejtohet me gjuhë tjetër, t’i drejtohet publikut me gjuhë tjetër. Ata mund ta thonë dhe shumë qartë, me një fjali: Shqipëria nuk ka të ardhme në Bashkimin Evropian me këtë qeveri.

Sigurisht që e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Çështja është çfarë qeverie ke ti përballë. Si Bashkimi Evropian çfarë qeverie ke? Në qoftë se ti pranon një qeveri e cila e ka shndërruar vendin në një narkoshtet, nuk bën zgjedhje, ka instaluar regjim, ka korrupsion në nivel galopant, atëherë situata ndryshon.

A folëm për Serbinë? A e detyruan Serbinë? Po pse nuk e bëjnë me Shqipërinë pra, këtë po të them. Unë të thashë përtej zgjedhjeve: ndërprerje e fondeve, gjuhë tjetër me qeverinë.

Është ndryshe historia, nëse ata çfarë… Shiko në çfarë pozicioni e vë opozitën gjithë kjo që ndodh. Opozita filloi të krijonte një diskurs që IBAR-i është plagosur, IBAR-i është kështu, IBAR-i ashtu. Ndërkohë që sot na ndodhi kjo, doli që IBAR-i kaloi. Tani do rrimë e do fillojmë retorikën e kushteve, e na kanë vënë kushte, s’na kanë vënë kushte.

Nuk i intereson Edi Ramës se çfarë shkruajnë ata nëpër raporte fare. Madje ai e pranon dhe vetë atë. Çështja është se unë mendoj që rrugës ai do bëjë edhe ndonjë lëshim tjetër, edhe për atë që po flisnim për çështjen e imunitetit, dhe burimet janë që e ka deklaruar që kjo rrugë e ka marrë punën.

Çfarë fiton Shqipëria me këtë? Kjo është ajo që nuk ndryshon asgjë. Ti vazhdon të kesh qeverisje, vazhdon të jesh ekonomi e dominuar apo ekonomi ku krimi ka marrë pozitë dominuese. Vazhdon të jesh një vend ku është instaluar regjim dhe ku me zgjedhje ka pak, për të mos thënë aspak mundësi që të përmbyset dhe të krijohet rotacioni politik. Ja pra, kjo është’, u shpreh gazetari Klodian Tomorri në SYRI TV.