SYRI TV/ Drejtori i hekurudhave Ergys Verdho në SPAK, Verdho: Dhashë deklarime si person në dijeni
Ergys Verdho, drejtori i Hekurudhave, është marrë në pyetje këtë të enjte nga SPAK. Verdho tha shkurt për gazetarët se bëhet fjalë për një çështje të vjetër dhe ka dhënë deklarime si person në dijeni. Emri i tij ka qenë mjaft i lakuar në një sërë tenderash, përfshirë edhe dosjen “Balluku”, ku u ngritën pikëpyetje, por pavarësisht veprimeve të tij, nuk iu ngrit akuzë. Së fundmi, emri i Verdhos del në skemë nga një investigim i emisionit “Plug” në Syri TV, ku ai ka firmosur procedurën e një tenderi me vlerë 111 milion euro.
Drejtori i Hekurudhës, Ergys Verdho, ka dhënë deklarime këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme si person në dijeni. Pas daljes nga ambientet e SPAK, Verdho konfirmoi këtë dhe, i pyetur për çfarë konkretisht, tha se bëhet fjalë për një çështje të vjetër.
Në nëntor të vitit të kaluar, kur u ngrit zyrtarisht akuza për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe drejtorët e saj, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli, ra në sy mungesa e emrit të Ergys Verdhos. Në dosjen “Balluku” evidentohet një material i datës 7 dhjetor 2020, kur ARRSH i propozon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të drejtuar nga Belinda Balluku, Anila Luzin për anëtare të Njësisë së Prokurimit. Kjo e fundit do të ishte person përgjegjës për përllogaritjen e fondit limit, hartimin e kritereve dhe kërkesave të veçanta për kualifikim, si dhe shtetasit Ergys Verdho, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli për anëtarë të KVO-së. Ndërsa bashkë me Ballukun këta dy të fundit u morën të pandehur, për Verdhon, që më 9 dhjetor 2020 kishte cilësinë e kryetarit të KVO-së, SPAK nuk ka komunikuar akuzë.
Veç kësaj, në procedurën e parë që u anulua, emri i Ergys Verdhos përmendet në një komunikim mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit, datë 17 mars 2021, gjatë veprimeve për të favorizuar kompaninë turke që fitoi koncesionin. Por, ndonëse emri i Verdhos përmendet në disa episode, nuk sqarohet më tej pozita e tij dhe veprimet që ka kryer apo cilësia që ka patur.
Prej marsit 2024, Ergys Verdho mban funksionin e drejtorit të Hekurudhës, teksa më herët ka qenë administrator i Kompanisë Elektro Energjitike Shqiptare. Për tre vite, nga 2018–2021, ai ishte drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, teksa emri i tij është lakuar dhe denoncuar disa herë, duke e lidhur me tendera korruptivë. Për herë të fundit, emisioni investigativ “Plug” në Syri Televizion dokumentoi se Verdho firmosi kërkesën që i hapi rrugë zhvatjes së 111 milionë eurove nga taksat e shqiptarëve përmes një kontrate në sektorin e energjisë, dhe publikoi të dhëna që tregojnë se shteti shqiptar do t’i paguajë këtë shumë kompanisë Voltalia, për blerjen e energjisë elektrike që kjo shoqëri prodhon në parkun fotovoltaik të Karavastasë.
Të dhënat e “Plug” ngritin dyshime se Edi Rama i dha koncesionin e Karavastasë me një kontratë klienteliste dhe favorizuese për kompaninë franceze Voltalia, duke përdorur edhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.