Vajza dyvjeçare harrohet në makinë nga i ati, gjen vdekjen nga nxehtësia ekstreme

Një vajzë dyvjeçare ka vdekur nga nxehtësia në Spanjën veriperëndimore, pasi është lënë aksidentalisht në makinën e babait të saj gjatë një periudhe të nxehtë të pazakontë për stinën, e cila mund t’i çojë temperaturat në disa zona në 38 gradë Celsius.

Fëmija, emri i së cilës nuk është bërë e ditur, pësoi arrest kardiak të mërkurën pasdite pasi kaloi disa orë brenda automjetit në qytetin galician të Brión, pasi babai i saj harroi ta çonte në çerdhe.

Sipas raportimeve të medias, burri e kishte çuar fëmijën e tij të madh në shkollë atë mëngjes dhe kishte ndërmend ta linte vajzën e vogël në çerdhe kur u shpërqendrua nga një telefonatë. Në vend që të shkonte në çerdhe, ai shkoi në punë, duke e lënë fëmijën në makinë.

Alarmi u dha atë pasdite kur nëna e vajzës shkoi ta merrte nga çerdhja në orën 3 të pasdites dhe iu tha se nuk e kishin lënë atë mëngjes. Duke kuptuar se çfarë kishte ndodhur, prindërit telefonuan shërbimet e urgjencës dhe vajza u dërgua në një qendër shëndetësore në qytetin e afërt të Bertamiráns, ku u shpall e vdekur.

Policia po heton incidentin, ndërsa  Këshilli i qytetit të Brión shpalli dy ditë zie zyrtare për vajzën dhe tha se një minutë heshtje do të mbahet në kujtim të saj të premten.

“Dëshirojmë t’i shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe gjithë mbështetjen tonë familjes së vajzës së vogël që humbi jetën dje në Brión, si dhe të gjithë miqve të saj, ndërkohë që u vëmë në dispozicion të gjitha burimet komunale që u nevojiten në këto kohë të vështira”, tha këshilli. “U prehtë në paqe.”

Spanja është duke u përgatitur për llojin e nxehtësisë që shoqërohet më shpesh me mesin e verës. Zyra meteorologjike shtetërore, Aemet, tha se "temperaturat jashtëzakonisht të larta" mund të arrijnë 36-38 gradë Celsius në disa pjesë jugore të vendit.

“Gjatë gjithë majit, kemi regjistruar një periudhë të zgjatur me temperatura nën normalen”, tha ajo. “Tani vjen e kundërta e plotë: një periudhë me temperatura shumë të larta për këtë kohë të vitit në pjesën më të madhe të vendit. Në fakt, disa ditë mund të thyejnë rekorde të nxehtësisë.”

Aemet tha se temperaturat e larta, të cilat nuk i plotësojnë kriteret teknike për t’u shpallur valë të nxehti, ndoshta do të zgjasin deri në mesin e javës së ardhshme.

Spanja, një nga vendet evropiane më të ekspozuara ndaj efekteve të emergjencës klimatike , ka përjetuar një numër në rritje të valëve të të nxehtit dhe një rritje të ndjeshme të zjarreve të mëdha pyjore vitet e fundit./ Guardian.