Ofensiva kundër Shkëndijës së Tetovës, reagon ashpër Ministria maqedonase e Sportit
Ka nisur një sulm i pazakontë nga maqedonasit ndaj klubit më të suksesshëm shqiptar, Shkëndija së Tetovës. Mbrëmë mediet maqedonase e sulmuan me tërë makinerinë pët shkak të mospranisë së kuqezinjve tetovarë gjatë momenteve të ndarjes së medaljeve në përfundim të finales së Kupës, e humbur përballë Sileksit, ndërsa sot është prononcuar edhe Ministria e Sportit e Maqedonisë së Veriut përmes një komunikate zyrtare.
Sipas Ministrisë, periudhën e fundit janë regjistruar disa incidente nga aktorë të ndryshëm të sportit, punëtorë sportivë, futbollistë, tifozë dhe klube, që, sipas tyre, dëmtojnë reputacionin e federatave, shtetit dhe vetë sportit.
“Ministria e Sportit e Maqedonisë së Veriut dënon ashpër fishkëllimat ndaj himnit kombëtar nga ana e tifozëve të Shkëndijës, por edhe më shumë na shqetëson sjellja e futbollistëve që refuzuan t’i pranonin medaljet pas përfundimit të ndeshjes.
Në periudhën e fundit ka pasur disa ngjarje që vijnë nga palë të ndryshme (punëtorë sportivë, futbollistë, tifozë, klube), të cilat dëmtojnë imazhin e federatave, shtetit dhe në fund të sportit, në kundërshtim me atë që sporti duhet të përfaqësojë!
Dëshirojmë ta informojmë opinionin publik, por edhe të gjitha palët që janë të përfshira drejtpërdrejt apo tërthorazi në klube, se Ministria e Sportit ka nisur shqyrtimin e mundësisë për ndryshime në Ligjin për Sportin, me të cilat do të zgjerojmë kompetencat e shtetit me qëllim që dukuri të tilla të sanksionohen seriozisht.
Dënimet do të lidhen me përfitimin e ndihmës shtetërore, ndërsa si masë e fundit do të parashihet edhe procedura për heqjen e licencave për veprimtari sportive, gjë që do të sillte humbjen e të drejtës për pjesëmarrje në kampionatin kombëtar.
Njëkohësisht, i bëjmë thirrje edhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë që ta ndryshojë rregulloren e saj, duke e bërë shumë më rigoroze në sanksionimin e shkeljeve të çdo lloji.
Në përputhje me të gjitha instrumentet juridike ndërkombëtare, për të cilat vendet e botës kanë arritur konsensus të përgjithshëm, dukuri të tilla dhe të ngjashme devijuese nuk duhet të bëhen pjesë e përditshmërisë në sport, përfshirë edhe sportin maqedonas dhe në këtë drejtim Ministria e Sportit do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat kombëtare dhe interesat e sportit.
Të gjithë, pa përjashtim, duhet t’i respektojnë rregullat e përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe aktet e tjera ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sportin, rregullat e shteteve që sportin e kanë rregulluar të funksionojë në një kornizë ligjore me të gjitha elementet shtetërore dhe, sigurisht, rregullat e federatave kombëtare sportive që zbatojnë sistemin kombëtar të garave”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Sportit.