Thiago Silva largohet nga Porto, drejt fundit të karrierës legjendare

Thiago Silva nuk do të jetë më pjesë e Porto-s. Klubi portugez konfirmoi këtë të enjte largimin e mbrojtësit veteran, pas përfundimit të kontratës së tij me “dragonjtë”.

Mbrojtësi 41-vjeçar i dha fund aventurës së tij të dytë te Porto vetëm gjashtë muaj pas rikthimit në klub, 22 vite pas eksperiencës së parë kur luante për skuadrën B. Edhe pse kishte mundësinë të rinovonte edhe për një sezon tjetër, palët vendosën të ndaheshin.

“Kontrata e Thiago Silvës ka përfunduar dhe mbrojtësi brazilian largohet nga Porto pas dy eksperiencave me klubin”, thuhej në komunikatën zyrtare të kampionëve të Portugalisë.

Largimi i veteranit vjen pak ditë pasi ai mbeti jashtë listës së Brazilit për Botërorin 2026. Gjatë gjysmës së sezonit me Porton, Thiago Silva zhvilloi 14 ndeshje dhe kontribuoi në fitimin e titullit kampion, trofeu i 33-të në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

Braziliani u shpreh shumë i emocionuar në mesazhin e lamtumirës: “Tifozët e Portos do të mbeten përgjithmonë në zemrën time dhe shpresoj që edhe unë të kem lënë gjurmë te ata. Kur shoh pas, kujtoj momentet e pabesueshme që kemi përjetuar. Ky titull ishte për familjen e madhe të Portos që e meriton shumë.”

Ai shtoi: “Largohem shumë i kënaqur. Ky është një nga trofetë më të rëndësishëm të karrierës sime. Nuk është lamtumirë, por një mirupafshim.”

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Thiago Silva do të vendosë t’i japë fund karrierës. Mbrojtësi brazilian ka një ftesë për t’iu bashkuar strukturës së Chelsea-t, ndërsa familja e tij jeton në Londër dhe fëmijët aktivizohen në akademinë e klubit anglez. Për këtë arsye, tërheqja nga futbolli duket një mundësi shumë reale për legjendën braziliane.