SYRI TV/ Ngricat shkatërrojnë frutikulturën në Devoll, fermerët: Dëmi katastrofik, humbje kolosale
Frutikultura e Devollit ka pësuar dëme kolosale për shkak të temperaturave të ulta të pak ditëve më parë. Janë fermerët e disa fshatrave në zonë ata të cilët kanë ngritur alarmin, duke pohuar se i gjithë prodhimi i këtij viti ka shkuar dëm, ndërsa ata bëjnë apel ndaj shtetit që të marrë masa dhe ti ndihmojë, pasi ata kanë investuar gjithë kursimet e tyre në kultura si molla, qershia apo kumbulla, prodhimi i të cilave tashmë është shkatërruar
SYRI TV
Temperaturat e ulëta të fillimit të muajit maj, të shoqëruara me ngrica, kanë shkaktuar dëme të medha në frutikulturën e Devollit. Fermerët e zonës flasin për humbje katastrofale, ndërsa në shumë pemtore kryesisht mollë por edhe qershi e kumbull, prodhimi është shkatërruar pothuajse plotësisht.
Në fshatin Mançurisht, fermeri Gazmor Azo tregon se ngricat e datave 3 dhe 4 maj, kur temperaturat zbritën deri në minus 4 apo minus 5 gradë, dëmtuan rreth 3 hektarë e gjysmë me mollë.
Sipas tij dëmi është i madh dhe këtë vit nuk do të ketë asnjë prodhim, ndërsa investimet e kryera deri tani shkojnë në rreth 12 milionë lekë të vjetra.
Edhe pse pemët nuk kanë prodhim, fermerët detyrohen të vazhdojnë trajtimet me spërkatje për të ruajtur gjethin dhe përgatitur pemët për sezonin e ardhshëm.
Të njëjtën situatë përshkruan edhe Ermal Pogoni nga Progri, i cili thotë se ngricat kanë shkatërruar plotësisht pemtoret me mollë, qershi dhe kumbulla.
Ai shprehet se dëmi ekonomik për familjen e tij arrin në rreth 20 milionë lekë të vjetra, ndërsa pasiguria për të ardhmen po i shtyn shumë banorë të mendojnë largimin nga zona.
Edhe fermeri Medat Rusi thotë se dëmet në gjithë zonën, nga Gryka e Zemblakut deri në Kapshticë, llogariten në miliarda lekë.
Kryetari i fshatit Mançurisht, Sulejman Meço, konfirmon se dëmi në frutikulturë është mbi 95 për qind dhe prek jo vetëm Mançurishtin, por edhe Progërin, Cangonjin, Vranishtin dhe fshatra të tjerë të Devollit.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe mbështetje financiare nga shteti për të përballuar humbjet dhe për të shpëtuar sezonet e ardhshme të prodhimit.