Fermerët në Bujqes të Elbasanit në vështirësi, rritja e naftës dhe mungesa e tregut rrezikojnë prodhimin

Fermerët në zonën e Bujqësit, në bashkinë Elbasan, po përballen me vështirësi të shumta ekonomike, të shkaktuara kryesisht nga rritja e çmimit të naftës dhe mungesa e tregut të qëndrueshëm për produktet bujqësore.

Rritja e çmimit të karburantit mbi 200 lekë për litër, sipas tyre, është bërë pengesa kryesore në punën e përditshme, pasi kostot e prodhimit nuk mbulohen nga të ardhurat që sigurojnë nga shitja e produkteve në treg.

Në këtë periudhë, fermerët kanë nxjerrë në treg kryesisht domate dhe kastravecë, por çmimet e ulëta bëjnë që fitimi të jetë minimal, duke mjaftuar vetëm për mbijetesë dhe jo për zhvillim të aktivitetit bujqësor.

Një tjetër problem serioz mbetet edhe mungesa e fuqisë punëtore. Fermerët shprehen se të rinjtë po largohen nga vendi, duke i detyruar ata që të kryejnë vetë të gjitha punët e mirëmbajtjes së kulturave bujqësore.

Ndërkohë, mungesa e tregut të qëndrueshëm dhe e stabilitetit të shitjeve vijon të rëndojë situatën. Shumë fermerë thonë se varen nga eksporti, pasi tregu vendas nuk arrin të thithë prodhimin e tyre.

Fermerët kërkojnë ndërhyrje dhe mbështetje nga shteti, duke theksuar se deri tani çdo investim dhe kosto është përballuar vetë, ndërsa situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe rrezikon falimentimin e shumë prej tyre.