Arrestohet drejtori i IMT-së në Bashkinë e Himarës
Në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje është arrestuar drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Himarës, Dorian Hoxha. Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se arrestimi është kryer në zonën e Palasës, rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Sipas informacioneve paraprake, arrestimi i tij lidhet me një ndërtim në zonën bregdetare, për të cilin dyshohet se është lejuar qëllimisht ose nuk është parandaluar sipas ligjit.
Strukturat e Krimit Ekonomik kanë vënë në pranga kryeinspektorin e IMT-së në Himarë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve paraprake të zhvilluara nga organet ligjzbatuese, dyshohet se zyrtari ka lejuar ose nuk ka vepruar ndaj shkeljeve gjatë ushtrimit të detyrës së tij, në kundërshtim me ligjin.
Mësohet se kryeinspektori Dorian Hoxha është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Himarës dhe më pas është transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Qarkut Vlorë.
Nga Policia e Vlorës bëhet me dije se hetimet vijojnë ende, ndërsa po verifikohet nëse janë lejuar apo nuk janë parandaluar shkelje në territorin e Bashkisë Himarë. Detaje të tjera pritet të bëhen të ditura në vijim.