Grabitja me armë e argjendarisë në Kamëz, arrestohet 22-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori

Policia ka arrestuar një nga personat e dyshuar të përfshirë në grabitjen me armë të argjendarisë në Kamëz.

Mësohet se në pranga është vënë i riu nga Kruja, shtetasi Elez Hysa 22 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, 22-vjeçari dyshohet se është i implikuar në vjedhjen me armë të një argjendarie në pronësi të shtetasit O. L., ku autorët morën një sasi bizhuterish nën kërcënimin e armës.

Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe disa sende të kundërligjshme, të cilat konsiderohen të vlefshme për hetimin.

Njoftimi: 

Veprime intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes me dhunë në një argjendari në Kamëz, më datë 16.05.2026.

Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve që vodhën nën kërcënimin e armës bizhuteri në një argjendari në Kamëz, kanë bërë ndalimin me iniciativë të shtetasit:

-E. H., 22 vjeç, banues në Krujë.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, është i implikuar në vjedhjen argjendarisë në pronësi të shtetasit O. L., ku u morën një sasi bizhuterish.

Gjithashtu, janë sekuestruar disa sende të kundërligjshme, të vlefshme për hetimin.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit dhe për dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.