'Me çfarë pafytyrësie', Vokshi: Ministri Gogu gënjeu e mashtroi shqiptarët për raportin e IBAR! Të kërkojë falje
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka dezinformuar publikun lidhur me raportin e Vlerësimit të pikave të ndërmjetme (IBAR) dhe procesin e integrimit europian.
Gjatë deklaratatës së saj, Vokshi u shpreh se ministri ka dhënë një informacion të pasaktë kur deklaroi se raporti ishte miratuar dhe kishte kaluar në Këshillin e ambasadorëve të BE-së. Ajo e cilësoi këtë deklaratë si mashtruese dhe kërkoi që Gogu të mbajë përgjegjësi publike.
Sipas saj, disa shtete anëtare të BE-së ende kanë rezerva dhe nuk e kanë miratuar plotësisht procesin e lidhur me grupkapitullin përkatës, duke e bërë të papranueshme, sipas saj, daljen me deklarata të parakohshme.
Vokshi shtoi se opozita ka mbështetur rezolutat në Kuvend për këtë çështje, por theksoi se nuk mund të pranohet, sipas saj, që publiku të marrë informacione të pasakta nga përfaqësues të qeverisë.
Në përfundim, ajo kërkoi që ministri Gogu të kërkojë falje publike për deklaratat e bëra.
Deklarata e plotë në Kuvend:
“Ministri Gogu doli në konferencë dhe dha lajmin e mirë që raporti i IBAR ishte miratuar dhe i kishte kaluar këshillit të ambasadorëve. Si mundet a iu dridhur qerpiku me çfarë pafytyrësie, paaftësie ose padijësie mundet një ministër të japë një lajm që nuk është i vërtetë e të mashtrojë publikun.
Të paktën 3 vende anëtare kanë pasur probleme me grupkapitullin e parë, ku janë 5, të cilët nuk e kanë miratuar. Deri të premten Fogu mund të kishte pritur për të dhënë lajmin e mirë, që të gjithë e presin Gogu që shpërndan lajme të pavërteta për t’i dhënë Ramës një meritë që s’e meriton.
Ne si opozitë miratuam edhe rezolutën, si mundet që të mashtrojë publikun. Të dalë e të kërkojë falje”.