Trajtimi i aktivistëve të flotiljes/ Polonia thërret të ngarkuarin me punë të Izraelit: E papranueshme sjellja e zyrtarit!
Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Radoslaw Sikorski ka bërë të ditur se i ngarkuari me punë i Izraelit në Varshavë do të thirret menjëherë për t’i kërkuar kërkim-falje lidhur me trajtimin që ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, u bëri aktivistëve të Flotiljes Globale "Sumud" që ishte nisur drejt Gazës.
"Kam urdhëruar që i ngarkuari me punë i Izraelit në Varshavë të thirret menjëherë për t'ia përcjellë zemërimin tonë dhe për të kërkuar kërkim-falje për sjelljen jashtëzakonisht të papërshtatshme të një anëtari të qeverisë izraelite", tha Sikorski në rrjetin social amerikan X.
Ai tha se Polonia dënon trajtimin që autoritetet izraelite u bënë aktivistëve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasve polakë, duke bërë thirrje që ata të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.
"Fakti që Ministria e Punëve të Jashtme kishte këshilluar qytetarët polakë të mos udhëtojnë drejt Izraelit dhe Palestinës nuk do të thotë se ne pranojmë shkeljen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre. Siguria e qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë më i lartë", shtoi Sikorski.
Komentet e kryediplomatit polak vijnë pasi Ben-Gvir publikoi një video në rrjetet sociale ku shihej duke tallur aktivistët pro-palestinezë, të cilëve u ishin lidhur duart dhe ishin detyruar të gjunjëzoheshin pasi u ndaluan nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare.
Ministri izraelit shkaktoi zemërim si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare pasi publikoi një videon një minutëshe.
Të martën, flotilja globale humanitare "Sumud" njoftoi se të gjitha 50 anijet në kolonën e saj ishin sekuestruar nga Izraeli. Flotilja, që transportonte 428 persona nga 44 vende, u nis të enjten e kaluar nga rrethi turk Marmaris në një përpjekje të re për të thyer bllokadën izraelite të vendosur ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007./ AA.