Luajti finalen me gisht të thyer, Dibu Martinez: Këto janë provat që duhet të kalosh
Emiliano Martínez ka zbuluar një histori të jashtëzakonshme pas triumfit të Aston Villa-s në finalen e Europa League-s ndaj Freiburgut, e zhvilluar në Stamboll dhe e fituar 3-0 nga skuadra angleze.
Portieri argjentinas ka pranuar se e ka luajtur gjithë ndeshjen me një gisht të thyer, dëmtim që e pësoi gjatë nxehjes para finales. Pavarësisht dhimbjes, ai mori ndihmën e menjëhershme të stafit mjekësor dhe vendosi të qëndrojë në fushë deri në fund, duke kontribuar me disa pritje vendimtare në suksesin historik të skuadrës së drejtuar nga Unai Emery.
Në finalen e fituar nga Aston Villa, golat u shënuan nga Youri Tielemans, Emiliano Buendía dhe Morgan Rogers, duke i dhënë klubit një trofe europian pas 44 vitesh pritje.
Pas ndeshjes, Martínez tregoi momentin e dëmtimit me stilin e tij karakteristik luftarak: “E theva gishtin gjatë nxehjes, por në jetën time çdo gjë e keqe më ka sjellë diçka të mirë. Gjithmonë kam kaluar situata të vështira dhe do të vazhdoj ta bëj.”
Ai shtoi se loja nuk ishte aspak e lehtë për shkak të dëmtimit: “Sa herë që kapja topin, gishti shkonte në drejtim të kundërt. Por këto janë provat që duhet t’i kalosh dhe jam krenar që mbroj ngjyrat e Aston Villës.”
Ky triumf përbën një tjetër kapitull historik për klubin anglez, ndërsa për Martínez është vazhdim i një serie të jashtëzakonshme suksesi. Portieri argjentinas ka fituar të gjitha finalet që ka luajtur në karrierë, nga Kupa e Botës dhe Copa América, deri te FA Cup dhe tashmë edhe Europa League.