Southampton-i humbet apelimin, përjashtohet përfundimisht nga play-off-i i Premier League-s

Southampton-i është përjashtuar përfundimisht nga finalja e play-off-it për ngjitjen në Premier League, pasi apelimi i klubit anglez u rrëzua nga autoritetet e futbollit anglez. Klubi akuzohet për spiunazh, çështje që ka shkaktuar debat të madh në Angli.

Pas vendimit të fundit, në finalen e play-off-it do të luajë Middlesbrough, që do të përballet me Hull City-n të shtunën, në sfidën që do të vendosë skuadrën e fundit që ngjitet në Premier League.

Një ditë më parë, komisioni disiplinor i pavarur i EFL kishte përjashtuar Southampton-in nga play-off-i dhe kishte rikthyer Middlesbrough, edhe pse kjo skuadër ishte eliminuar në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 2-1 nga “Shenjtorët”.

Southamptoni e konsideroi vendimin të padrejtë dhe apeloi, duke argumentuar se ndëshkimi ishte “qartësisht joproporcional krahasuar me çdo sanksion tjetër në historinë e futbollit anglez”. Megjithatë, autoritetet e Premier League-s vendosën ta linin në fuqi dënimin.

Vendimi tashmë është përfundimtar dhe klubi nuk ka më mundësi apelimi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Në reagimin zyrtar, Southampton-i e cilësoi vendimin “jashtëzakonisht zhgënjyes”, por pranoi seriozitetin e çështjes dhe të hetimeve të zhvilluara. Gjithsesi, klubi këmbëngul se ndëshkimi sportiv ndaj tij ka qenë tepër i rëndë, një mendim që, sipas drejtuesve të Southampton-it, ndahet edhe nga shumë persona të komunitetit të futbollit anglez.