Allegri në udhëkryq: të tentojë ‘yllin e dytë’ me Milanin apo të pranojë ofertën e Napolit?

Massimiliano Allegri ndodhet përballë një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij, por gjithçka do të sqarohet vetëm në ditët e ardhshme. Fillimisht duhet kuptuar nëse Milani do të sigurojë kualifikimin në Champions League dhe cili do të jetë projekti që do t’i paraqesë pronari Gerry Cardinale. Nga ana tjetër, në horizont mbetet edhe interesi i Napoli, me presidentin Aurelio De Laurentiis që vazhdon ta vlerësojë shumë teknikun toskan.

Prioriteti i Allegrit mbetet Milani, skuadër me të cilën nisi një projekt sezonin e kaluar, pasi firmosi kontratë deri në vitin 2027. Megjithatë, vazhdimi i bashkëpunimit lidhet ngushtë me arritjen e një vendi në Champions League, konkretisht me përfundimin në tri ose katër vendet e para të Serie A. Pas sigurimit të objektivit, Allegri dhe drejtuesit kuqezi pritet të takohen për të diskutuar të ardhmen.

Cardinale dëshiron vazhdimësinë me Allegrin dhe është gati t’i ofrojë rinovim deri në vitin 2028, bashkë me një rritje page dhe një merkato të ndërtuar sipas kërkesave të trajnerit. Allegri, nga ana e tij, pret investime të rëndësishme për të ndërtuar një skuadër konkurruese që të luftojë për titullin dhe “yllin e dytë”.

Ndërkohë, Napoli po kërkon pasuesin e Antonio Contes, i cili mund të largohet në fund të sezonit, madje përflitet edhe për një kalim te kombëtarja italiane. De Laurentiis nuk e ka harruar kontaktin me Allegrin një vit më parë dhe vazhdon ta konsiderojë atë një nga kandidatët kryesorë për stolin napolitan.

Në skenë mbetet edhe Maurizio Sarri, për të cilin interesohet fort Atalanta. Nëse negociatat mes Allegrit dhe Milanit nuk përfundojnë pozitivisht, atëherë pista e Napolit mund të bëhet shumë konkrete për trajnerin toskan.