I nominuari i Trump për Ambasador në Tiranë flet për drejtësinë: Jopolitizimi, kusht...
I nominuari i Presidentit amerikan për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric G. Wendt, ka paraqitur para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë prioritetet e tij për Tiranën, duke u ndalur tek lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe organizatave kriminale ndërkombëtare.
Gjatë seancës dëgjimore në Senat, Wendt foli edhe për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar disa herë se elementi kryesor për funksionimin e tyre mbetet pavarësia nga politika.
“Për aq kohë sa ata mund të mbeten jopolitikë dhe të pavarur - dhe mendoj se kjo është pika kyçe - kjo do të ndihmojë sigurinë dhe klimën për investime në Shqipëri”, deklaroi ai para senatorëve amerikanë.
Diplomati amerikan nënvizoi se mbështetja e SHBA lidhet me ruajtjen e institucioneve të paprekura politikisht, duke e konsideruar këtë si kusht për besueshmërinë e tyre dhe për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, Wendt përmendi edhe bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit në hetimet ndaj organizatave kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit mes institucioneve.