Interi po bëhet gati për një verë intensive, zikaltrit do të përshkojnë 30 mijë kilometra
Inter po përgatitet për një verë tepër intensive përpara nisjes së sezonit 2026/27. Zikaltrit pritet të udhëtojnë nëpër botë dhe të përshkojnë afro 30 mijë kilometra gjatë fazës përgatitore.
Sipas programit ende jozyrtar, skuadra do të nisë grumbullimin më 13 korrik në Appiano Gentile, ku deri më 15 korrik lojtarët do të kryejnë testet atletike. Më pas, nga 15 deri më 17 korrik, Interi do të udhëtojë drejt Gjermanisë për fazën përgatitore në lartësi të mëdha. Në këtë periudhë nuk do të jenë të pranishëm futbollistët e kombëtareve, pasi ata do të jenë të angazhuar në Kupën e Botës 2026.
Pas kthimit nga Gjermania, që është planifikuar mes datave 25 dhe 27 korrik, skuadra e drejtuar nga trajneri do të nisë menjëherë turin aziatik. Më 28 ose 29 korrik, zikaltrit do të udhëtojnë drejt Hong Kongut, ku më 1 gusht do të përballen me Manchester City-n në stadiumin “Kai-Tak”.
Turneu veror do të vazhdojë më pas në Australi. Më 3 gusht Interi do të niset drejt Perthit, ku do të zhvillojë dy miqësore prestigjioze në “Optus Stadium”. Fillimisht, më 5 gusht, do të luhet derbi italian ndaj Milanit, ndërsa tri ditë më vonë, më 8 gusht, përballë zikaltrve do të jetë Juventusi.
Pas një vere të mbushur me udhëtime dhe sfida ndërkombëtare, Interi do të rikthehet në Itali për nisjen e sezonit të ri të Serie A, e cila është planifikuar të startojë më 22 ose 23 gusht 2026.