Henry emocionohet pas titullit të Arsenalit: Fitoni Champions-in dhe bëheni ‘Të Paharrueshmit’

Pas 22 vitesh pritje, Arsenali është rikthyer në majën e futbollit anglez, duke fituar Premier League-n dhe duke rikthyer atmosferën e lavdisë në veri të Londrës.

Triumfi i skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta ka sjellë emocione të mëdha edhe për legjendat e klubit, ndërsa një nga reagimet më prekëse ka ardhur nga Thierry Henry.

Ikona franceze, lideri dhe golashënuesi kryesor i “Të Pamposhturve” të vitit 2004, festoi titullin në rrjetet sociale me një mesazh emocional që preku tifozët e Arsenalit.

“Nga tribunat e Highbury tek Emirates, më në fund mund të festojmë. Një falënderim special për këtë brez, tani më në fund edhe fëmijët e mi kanë parë Arsenalin të fitojë një titull,” shkroi Henry.

Ish-sulmuesi francez iu referua katër fëmijëve të tij, të gjithë të lindur pas suksesit të fundit të Arsenalit në Premier League. Për këtë arsye, ky triumf ka një domethënie të veçantë edhe në jetën personale të legjendës së klubit londinez.

Henry, që realizoi 228 gola në 377 ndeshje me fanellën e Arsenalit, mbetet një nga figurat më të mëdha në historinë e klubit dhe një simbol i epokës së artë të trajnerit Arsène Wenger.

Megjithatë, emocionet nuk ndalen vetëm te titulli kampion. Arsenali tashmë është fokusuar edhe te finalja e Ligës së Kampionëve më 30 maj, ndaj PSG-së, kampion në fuqi i Europës.

Henry u dërgoi një mesazh të fortë edhe lojtarëve aktualë të skuadrës, duke i motivuar të arrijnë atë që brezi i tij nuk mundi ta realizonte.

“Ne ishim ‘Të Pamposhturit’, por nuk arritëm ta fitonim Champions League. Nëse ju e bëni këtë, do të bëheni për të gjithë ‘Të Paharrueshmit’. Ju uroj më të mirën,” ishte mesazhi i legjendës franceze.