Përplasja e fortë Romë–Tel Aviv: Italia akuzon Izraelin për trajtim çnjerëzor të aktivistëve! Reagon Meloni
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani kanë reaguar ashpër pas publikimit të pamjeve ku shfaqet ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, mes aktivistëve të arrestuar të “Global Sumud Flotilla”, të cilët po lundronin drejt Gazës.
Mes aktivistëve autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se është dhe shqiptari Baki Goxhaj. Në video aktivistët duket se i rrahin dhe i mbajnë me kokë poshtë.
Në një deklaratë të përbashkët, Meloni dhe Tajani i cilësuan pamjet “të papranueshme” dhe dënuan trajtimin ndaj protestuesve, mes të cilëve ndodhen edhe shumë shtetas italianë, informon gazetarja Alba Kepi në një intervistë për Syri Tv me gazetarin Arnold Kariqi.
“Pamjet e ministrit izraelit Ben Gvir janë të papranueshme. Është e palejueshme që këta protestues, mes tyre shumë qytetarë italianë, t’i nënshtrohen një trajtimi që cenon dinjitetin njerëzor”, thuhet në deklaratë.
Qeveria italiane bëri të ditur se po ndërmerr menjëherë të gjitha hapat institucionalë në nivelet më të larta për të siguruar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve italianë të përfshirë në incident.
“Italia kërkon gjithashtu falje për trajtimin e rezervuar ndaj këtyre aktivistëve dhe për shpërfilljen totale të treguar ndaj kërkesave të qarta të qeverisë italiane”, vijon deklarata.
Për shkak të ngjarjes, Ministria e Jashtme italiane njoftoi se do të thërrasë menjëherë ambasadorin izraelit në Romë për të kërkuar sqarime zyrtare mbi atë që ka ndodhur.
Ndërkohë, opozita italiane ka kërkuar që qeveria të raportojë urgjentisht në Parlament lidhur me ndalimin e aktivistëve në ujëra ndërkombëtare. Përfaqësues të lëvizjeve politike si M5S, AVS, Partia Demokratike dhe +Europa e kanë cilësuar operacionin izraelit si një “akt piraterie” dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Deputeti Riccardo Ricciardi deklaroi se rreth 450 aktivistë nga e gjithë bota janë ndaluar nga Izraeli, mes tyre rreth 29–30 qytetarë italianë. Sipas opozitës, qeveria italiane duhet të kërkojë lirimin e menjëhershëm të tyre dhe të garantojë që të mos keqtrajtohen.
Nga ana tjetër, ministri izraelit Ben-Gvir publikoi video nga porti i Ashdodit ku shihen aktivistët të prangosur dhe me sy të lidhur. Në pamje ai dëgjohet duke thënë:
“Mirë se erdhët në Izrael, ne jemi zotët e kësaj shtëpie.”
Në një tjetër deklaratë, ai i quajti aktivistët “mbështetës të terrorizmit” dhe kërkoi që ata të mbahen për një kohë të gjatë në burgje antiterrorizmi.
Sipas burimeve ligjore italiane, dhjetë nga aktivistët italianë të ndaluar kishin marrë pjesë edhe në misione të mëparshme të flotiljes drejt Gazës dhe ishin ndaluar edhe më herët nga autoritetet izraelite. Ekipi ligjor italian ka depozituar një kallëzim të ri në Prokurorinë e Romës duke kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe mbrojtje për aktivistët.