Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare gati të marrë ofertën, klubi italian e ka në krye të listës
Ish-mesfushori shqiptar, Ledian Memushaj, mund të nisë një aventurë të re në futbollin italian, këtë herë si trajner. Sipas raportimeve nga mediet italiane, Team Altamura po e konsideron seriozisht emrin e tij për stolin e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Klubi i Serisë C po përshpejton kërkimet për trajnerin e ri, ndërsa ndarja me Devis Mangian duket gjithnjë e më e afërt. Në këtë situatë, drejtuesit kanë nisur vlerësimet për zëvendësuesin dhe Memushaj raportohet se është ngjitur në krye të listës së kandidatëve.
Ish-futbollisti shqiptar, shumë i njohur në Itali për karrierën e tij të gjatë si lojtar, ka nisur prej kohësh rrugëtimin si trajner. Ai vjen pas eksperiencës në stolin e Leon në Grupin B të Serie D, një eksperiencë që duket se ka bindur drejtuesit e Altamurës për ta konsideruar si një alternativë konkrete.
Edhe pse karriera e tij si trajner është ende në hapat e parë, profili i Memushajt po fiton vlerësim në futbollin italian, falë eksperiencës së madhe që ka krijuar ndër vite si futbollist në kampionatet italiane.
Në ditët e ardhshme priten zhvillime të reja për të ardhmen e ish-kapitenit të Kombëtares Shqiptare, i cili mund të marrë një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij në pankinë.