'Sterilizimi', 600 mijë € më shumë në 2025 Qeveria s’ndali pagesat për koncesionin abuziv
Koncesioni i Sterilizimit ka marrë rreth 600 mijë euro më shumë gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin 2024. Rritja e pagesave lidhet kryesisht me shtimin e seteve kirurgjikale me kompleksitet të lartë, të cilat kanë edhe koston më të madhe financiare. Edhe pse SPAK e ka cilësuar kontratën abuzive dhe të ndërtuar mbi mashtrim e falsifikim, qeveria vijoi pagesat e plota deri në përfundimin e koncesionit në fund të vitit 2025.
SYRI TV
Koncesioni korruptiv i Sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale ka arkëtuar rreth 600 mijë euro më shumë në vitin e fundit të funksionimit të tij, krahasuar me një vit më parë.
Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, në Raportin Vjetor për vitin 2025, thotë se është rritur numri i seteve kirurgjikale të ofruara nga kompania koncesionare “Sani Service”, duke shtuar ndjeshëm edhe faturën financiare publike për një kontratë të faktuar si abuzive.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit të kaluar është rritur numri i pajisjeve kirurgjikale të kompeksitetit të lartë, të cilat kanë edhe vlerën më të madhe financiare, 37 mijë lekë të reja për copë.
Po ashtu, rezultojnë me rritje edhe sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale të kompeksitetit të ulët, paketimi me avull dhe pastrimi i seteve mjekësore me temperaturë të ulët.
Përgjatë vitit 2025, Fondi i Kujdesit Shëndetësor ka paguar për “Sani Service” rreth 15.9 miliardë lekë të vjetra, ndërkohë që në vitin 2024, fatura ishte më e ulët, 15.4 miliardë lekë të vjetra.
Pas një kallëzimit të Partisë Demokratike, hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme zbuluan se kontrata koncesionare e Sterilizimit ishte abuzive, e ndërtuar mbi bazën e mashtrimit, falsifikimit të dokumentave dhe pastrimit të parave.
Prokurorët konstatuan se vlera e kontratës 10-vjeçare me fond rreth 100 milionë euro, në fakt ishte dyfishuar në mënyrë fiktive.
Megjithatë, pavarësisht këtyre gjetjeve, qeveria shqiptare vazhdoi pagesat e plota për shërbimin, deri në fund të vitit 2025, kur përfundoi koncesioni.
Për aferën korruptive të Sterilizimit janë dënuar me vendim të formës së prerë administratori i kompanisë private, Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme po vijon gjykimin për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.