Libri mbi të vërtetën në epokën e Inteligjencës Artificiale përmban citime të sajuara nga IA

Steven Rosenbaum, autori i “The Future of Truth” (Shqip: 'E ardhmja e së vërtetës'), tha se kishte nisur një hetim të tij pasi The New York Times e pyeti për citimet e rreme.

Nga Benjamin Mullin, The New York Times

Autori i librit jo-fiction mbi efektet e inteligjencës artificiale ndaj së vërtetës pranoi të hënën se kishte përfshirë disa citime të sajuara ose të atribuuara gabimisht, të krijuara nga Inteligjenca Artificiale.

Autori, Steven Rosenbaum, libri i të cilit “The Future of Truth” ( Shqip: E ardhmja e së vërtetës) u publikua këtë muaj me jehonë të madhe, kishte përfshirë më shumë se gjashtë citime të rreme ose të atribuuara gabimisht në pjesët e librit të shqyrtuara nga The New York Times.

The Times e pyeti Rosenbaum për citimet të dielën dhe të hënën. Të hënën në mbrëmje, ai pranoi në një deklaratë se libri përmbante “një numër të vogël citimesh sintetike ose të atribuuara në mënyrë të pasaktë” dhe tha se kishte nisur një hetim të brendshëm.

Ai deklaroi se përfshirja e citimeve të pasakta kishte qenë aksidentale dhe se “nuk kishte asnjë qëllim të trillonte qëndrime apo opinione” gjatë shkrimit të librit.

 “Siç kam deklaruar në falënderimet e librit, kam përdorur mjete të inteligjencës artificiale si ChatGPT dhe Claude gjatë procesit të kërkimit, shkrimit dhe redaktimit,” tha z. Rosenbaum në deklaratë. “Kjo nuk i justifikon këto gabime, për të cilat marr përgjegjësi të plotë. Tani po punoj me redaktorët për të rishikuar në mënyrë të plotë dhe për të korrigjuar shpejt çdo pasazh të prekur; çdo botim i ardhshëm do të korrigjohet.”

“The Future of Truth” është botuar nga një degë e shtëpisë botuese BenBella Books dhe është shpërndarë nga Simon & Schuster. BenBella Books, që operon në mënyrë të pavarur nga Simon & Schuster, nuk ka komentuar për rastin, ndërsa Simon & Schuster ka refuzuar të japë koment.

Rosenbaum është një figurë e njohur në industrinë e medias. Ai është drejtor ekzekutiv i Sustainable Media Center, një organizatë jofitimprurëse që, sipas misionit të saj, synon t’u japë “një brezi të ri konsumatorësh dhe krijuesish mediatikë” më shumë kontroll mbi jetën e tyre gjithnjë e më të lidhur me median. Qendra ka mbledhur së bashku figura të njohura të medias dhe teknologjisë për takime dhe intervista online.

Libri ka tërhequr vëmendje të madhe, përfshirë edhe një fragment të botuar në revistën Wired. Ai ka marrë edhe vlerësime promovuese nga gazetarë të njohur si Taylor Lorenz, Michael Wolff dhe Nicholas Thompson, drejtori ekzekutiv i The Atlantic. Parathënia është shkruar nga Maria Ressa, gazetare dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen, e njohur për hetimet e saj mbi Rodrigo Duterte, ish-presidentin e Filipineve.

Rritja e inteligjencës artificiale ka shtuar shqetësimet te botuesit se mund të publikojnë gabimisht libra nga autorë që përdorin në mënyrë të papërshtatshme gjuhë të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Këtë vit, shtëpia botuese Hachette tërhoqi një roman horror në prag publikimi, pas akuzave se autori kishte përdorur Inteligjencën Artificiale për hartimin e librit.

Libri i z. Rosenbaum përmban shumë citime të sakta, por citimet e pasakta ose të sajuara janë të shpërndara nëpër tekst.

Një prej citimeve i atribuohet Kara Sëisher, gazetare e njohur e teknologjisë, në një kapitull mbi gënjeshtrat e Inteligjencës Artificiale

 “Modeli më i sofistikuar i gjuhës së IA është si një pasqyrë,” thuhet në libër se ka shkruar ajo. “Ai reflekton moralin tonë të kthyer tek ne, i lëmuar dhe elokuent, por në fund bosh në thelb. Nuk është i kufizuar nga ligjet e Asimov-it apo ndonjë kornizë etike — është i kufizuar nga modelet e të dhënave mbi të cilat është trajnuar dhe nga objektivat e vendosura nga krijuesit e tij.”

Kur u pyet për citimin, zonja Sëisher tha në një mesazh se ajo “kurrë nuk e ka thënë këtë”, duke shtuar se duket që citimi është sajuar nga A.I. dhe jo nga vetë Rosenbaum.

“Gjithashtu, sipas ChatGPT, dukem sikur kam një shkop në…”, tha me ironi Sëisher.

Një kapitull tjetër mbi efektet e rrjeteve sociale dhe videove të fabrikuara tek adoleshentët i atribuon dy citime librit “Nga se përbëhen emocionet: Jeta sekrete e trurit’ të autores Lisa Feldman Barrett, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin Northeastern.

“Emocionet nuk janë thjesht reagime ndaj së vërtetës — ato janë mënyra se si ne e ndërtojmë të vërtetën,” citohet në libër thënia e zonjës Barrett. “Kur të rinjtë thonë se diçka ‘ndjehet e vërtetë’, ata po përshkruajnë një proces të sofistikuar të krijimit të kuptimit që integron sinjale emocionale dhe sociale.”

Zonja Barrett tha në një email për The Times se këto citime “nuk figurojnë në libër dhe janë gjithashtu të pasakta.”

“Ajo që thuhet se ‘emocionet nuk janë thjesht reagime ndaj së vërtetës’ — kjo nuk është e saktë, pasi emocionet nuk janë reagime, dhe ‘e vërteta’ në shkencë është një koncept i ndërlikuar që unë zakonisht e shmang,” tha ajo. “Gjithashtu, unë nuk do të thoja kurrë se ‘sinjalet emocionale dhe sociale’ integrohen — nuk ekzistojnë sinjale emocionale apo sociale si të tilla. Ka sinjale, dhe truri u jep atyre kuptimin si emocionale ose sociale.”

Disa pjesë të librit përmbajnë citime të vërteta, por të atribuuara gabim, ose citime që janë përzierje e deklaratave reale dhe të sajuara.

Një kapitull citon librin “Artificial Unintelligence” të Meredith Broussard, profesoreshë në Universitetit të New York. Citimi është i saktë, por nuk gjendet në librin “Artificial Unintelligence” — ai është thënë gjatë një interviste në 2023 për “Marketplace Tech”, një emision ditor radiofonik.

“Duket sikur kjo është ose një halucinacion i IA-së, ose një citim i keqatribuar,” tha zonja Broussard.

Një kapitull mbi mundësinë e një “bote post-e-vërtetës” të përkeqësuar nga inteligjenca artificiale citon Lee McIntyre, studiues në Universitetin Boston. Libri e paraqet atë duke e përshkruar përpjekjen për të minuar të vërtetën si një “formë të supremacisë ideologjike”, ku gënjeshtra përdoret në mënyrë strategjike — “jo për të dezinformuar, por për të zëvendësuar të vërtetën si vlerë shoqërore.”

Ndërsa pjesa e parë e citimit është e saktë, McIntyre tha se nuk e ka thënë pjesën e dytë fjalë për fjalë. Sipas tij, të gjitha idetë janë në përputhje me punën e tij.

“Është pjesa ‘vlerë shoqërore’ që më duket e çuditshme,” tha ai në një email për The Times. “Mund ta thuash këtë për punën time pa thonjëza, dhe do të ishte në rregull. Por unë nuk e kam përdorur kurrë, me sa di, këtë shprehje.”

Në deklaratën e tij, Rosenbaum tha se nëse ky rast “shërben si paralajmërim për rreziqet e përdorimit të IA-së në kërkim dhe verifikim, atëherë kjo është arsyeja pse e kam shkruar librin.”

“Këto gabime të IA-së nuk e zbehin, në fakt, pyetjet më të mëdha që libri ngre mbi të vërtetën, besimin dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale në shoqëri, demokraci dhe botim,” shtoi ai. /nytimes/