Si e ndërtoi Arteta ‘Super-Arsenalin’: ndryshim rrënjësor, buxhet i madh dhe një detaj simbolik

Mikel Arteta tashmë e ka bërë kampion Arsenalin pas tri sezonesh si nënkampion dhe gjashtë vite e gjysmë nga ardhja e tij në klub në dhjetor 2019, ku më parë kishte luajtur si futbollist për pesë sezone (2011–2016). Kjo është një pasqyrë e transformimit të klubit nën drejtimin e tij, parë nga brenda.

Ndryshim rrënjësor pas Wenger-it

Pas 22 vitesh “Wengerizëm” (1996–2018), Arsenali, që kishte arritur majat me Arsène Wenger, ishte gjithashtu i ngurtësuar në shumë struktura. Unai Emery (korrik 2018–dhjetor 2019) u përpoq të sillte ndryshime, por nuk mori mbështetjen e plotë të pronarëve. Arteta, si njeri i shtëpisë, ndryshoi gjithçka: nga infrastruktura fizike në London Colney, deri te energjia dhe mentaliteti brenda klubit.

Besimi i pronarëve

Asgjë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e pronarit kryesor të klubit, amerikanit Stan Kroenke, një miliarder që zotëron gjithashtu disa klube sportive në SHBA. Marrëdhënia e tij me Artetën është shumë e fortë dhe është ndërtuar si në periudhat pa trofe, ashtu edhe tani që klubi ka arritur sukses.

Buxheti

Pa para është e pamundur të konkurrosh në Premier League. Gjatë periudhës së Artetës, pa përfshirë të ardhurat, klubi ka shpenzuar mbi 1 miliard euro në merkato. Megjithatë, kjo shifër është e krahasueshme me rivalët si Manchester Cyti, Chelsea dhe Liverpool.

Një simbol i ndryshimit

Një detaj simbolik i këtij transformimi është një pemë e mbjellë nga vetë Arteta pranë zyrës së tij. Ajo duhej ujitur çdo ditë për t’u rritur, njësoj si projekti i klubit. Sot ajo është bërë një pemë e fortë dhe e zhvilluar, simbol i rritjes së Arsenalit nën drejtimin e tij.

Blerjet kyçe

Në zemër të projektit janë disa blerje kryesore: Declan Rice (116 milionë nga West Ham), Martin Ødegaard (35 milionë nga Real Madrid), dhe David Raya (32 milionë nga Brentford). Këtyre u shtohen lojtarë si Kai Havertz dhe Mikel Merino, si dhe dy qendërmbrojtësit kryesorë, William Saliba dhe Gabriel.

Akademia dhe të rinjtë

Arsenali vazhdon të prodhojë lojtarë të talentuar nga akademia e tij në Sobha Training Center. Lojtarë si Bukayo Saka, Myles Lewis-Skelly dhe Max Dowman janë bërë pjesë e rëndësishme e skuadrës, duke treguar vazhdimësinë e projektit.

Stafi teknik

Arteta është i bindur në punën në ekip. Ai ka ndryshuar mënyrën e punës brenda klubit, duke afruar të gjithë stafin. Një rol kyç ka ndihmësi i tij, Nicolas Jover, i cili ka transformuar Arsenalin në një nga ekipet më të forta në botë në goditjet standarde.

E ardhmja

Ata që mendojnë se ky projekt përfundon këtu gabohen. Arteta ka kontratë deri në vitin 2027, por besimi i pronarëve është aq i madh sa projekti i tij shihet praktikisht si afatgjatë dhe i pandërprerë. “Artetizmi” tek Arsenali pritet të zgjasë edhe për shumë vite.