Anglia përgatitet për Botërorin 2026 me masa emergjente, stërvitje për tornado në hotelin e skuadrës
Skuadra kombëtare e Anglia do të përballet me një situatë të pazakontë gjatë Botërorit 2026, pasi lojtarët do të trajnohen edhe për raste emergjente nga tornadot, për shkak të rrezikut që zona ku do të qëndrojnë mund të goditet nga stuhi të fuqishme.
Anglezët pritet të akomodohen në hotelin “Inn at Meadowbrook”, pranë Kansas City-t, me një kosto rreth 260 paundë për natë, gjatë gjithë turneut. Megjithatë, vendndodhja e tij është në të ashtuquajturën “Tornado Alley”, një zonë e njohur në SHBA për frekuencën e lartë të tornadove të fuqishme.
Sipas raportimeve, së fundmi një stuhi me erëra që arrinin rreth 160 km/h ka goditur zonën, duke lënë disa shtëpi pa energji elektrike dhe duke rritur shqetësimet për sigurinë e ekipit.
Për këtë arsye, zyrtarët e Federatës Angleze (FA) kanë planifikuar sesione të veçanta sigurie dhe udhëzime emergjente për lojtarët dhe stafin. Kapiteni Harry Kane dhe shokët e tij do të informohen se si duhet të reagojnë në rast alarmi për tornado.
Stafi i hotelit ka bërë të ditur se në rast sirene alarmi, mysafirët duhet të strehohen në banjo dhe të qëndrojnë larg dritareve, si masë mbrojtëse më e sigurt.
Një burim nga FA ka deklaruar se rreziku i një goditjeje direkte nga tornado është i ulët, por masat parandaluese janë të domosdoshme për sigurinë e ekipit gjatë qëndrimit në SHBA.
Anglia pritet të mbërrijë në bazën e saj më 13 qershor, pas një kampi përgatitor në Florida, në prag të nisjes së turneut botëror.