Nuk u thirr nga Ancelotti për Botërorin: Jam i trishtuar, por krenar për rrugëtimin tim!
Sulmuesi i Real Betisit, Antony, ka reaguar publikisht pasi nuk është përfshirë në listën e Carlo Ancelotti-t për Kupën e Botës.
Futbollisti 26-vjeçar shprehu zhgënjimin e tij përmes rrjeteve sociale, por njëkohësisht theksoi se mbetet i qetë dhe krenar për gjithçka që ka arritur deri tani në karrierë.
“Jam i trishtuar që nuk do të jem në një tjetër Botëror me kombëtaren, por jam i qetë dhe krenar për gjithçka që kam arritur deri tani”, shkroi Antony.
Ai shtoi se do të vazhdojë të punojë fort për të rikthyer ëndrrën e tij me fanellën e Brazilit.
“Do të vazhdoj të punoj si gjithmonë, sepse kjo ëndërr është ende gjallë”, u shpreh sulmuesi brazilian.
Antony gjithashtu u bëri thirrje bashkëkombësve të tij që të mbështesin Brazilin në Botëror, duke theksuar se do të jetë tifoz nga distanca për shokët e skuadrës që do të kërkojnë titullin e gjashtë botëror.
“Është momenti për të mbështetur miqtë që do të përfaqësojnë Brazilin në luftën për ‘të gjashtën’. Unë do të jem këtu duke i përkrahur të gjithë”, shtoi ai.
Sezoni i tij me Real Betisin ka qenë mjaft i mirë, me 14 gola dhe 10 asistime në 45 ndeshje, por kjo nuk ka mjaftuar për të siguruar një vend në listën përfundimtare të Ancelotti-t.