Guardiola flet për të ardhmen: Nuk ka asnjë njoftim, te City jam shumë i lumtur
Pep Guardiola ka reaguar për herë të parë rreth të ardhmes së tij te Manchester City, pas barazimit 1-1 ndaj Bournemouth-it, rezultat që i dha matematikisht titullin kampion Arsenalit.
Trajneri spanjoll shmangu çdo konfirmim për një largim të mundshëm në fund të sezonit, duke theksuar se aktualisht ndihet shumë i lumtur te klubi anglez dhe se çdo vendim do të diskutohet vetëm pas përfundimit të kampionatit.
“Largimi im? Gjatë karrierës kam mësuar se kur njofton diçka në mes të sezonit, rezultatet mund të bëhen shumë negative”, deklaroi Guardiola pas ndeshjes.
Tekniku katalanas kujtoi gjithashtu se kontrata e tij me Manchester City-n vazhdon edhe për një tjetër sezon, ndaj nuk dëshiron të marrë vendime të nxituara.
“Kam ende një vit kontratë. Në fund të sezonit do të flas me presidentin dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.
Pavarësisht humbjes së titullit në Premier League, Guardiola u shpreh i qetë dhe i lumtur me jetën e tij në Manchester.
“Këtu jam personi më i lumtur në botë”, përfundoi trajneri spanjoll.
Deklaratat e Guardiolës vijnë në një moment kur spekulimet për të ardhmen e tij janë shtuar ndjeshëm në mediet angleze dhe spanjolle. Pas dhjetë vjetësh në krye të Manchester City-t, shumë raportime kanë aluduar për një largim të mundshëm të tij në fund të sezonit, por për momentin vetë trajneri nuk ka dhënë asnjë sinjal të qartë për një vendim përfundimtar.