OSBE – ODIHR lëshon alarmin për financimin e partive, Çakaj: Partitë mashtrojnë për ‘huatë’ dhe ‘dhuratat’…
Financimi i partive politike mbetet një nga pikat më të nxehta të reformës zgjedhore, ndërsa një draft-projektligj i ri i hartuar nga Komisioni i Posaçëm parlamentar ka marrë një opinion urgjent nga OSBE-ODIHR. Eksperti i çështjeve zgjedhore, Muharrem Çakaj që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv, zbulon tre shqetësime kryesore që ndërkombëtarët kanë ngritur, të cilat mund të minojnë të gjithë procesin nëse nuk adresohen me seriozitet.
Sipas zotit Çakaj, ndonëse nisma për një ligj të posaçëm për financat e partive është vlerësuar, OSBE-ODIHR ka identifikuar disa pika kyçe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Shqetësimi i parë lidhet me kaosin legjislativ.
Problematika e dytë dhe më kritike, e ngritur edhe pas përvojës së zgjedhjeve të fundit, është ajo e financimit të fshehtë nga "palët e treta". Për të parandaluar këtë fenomen, OSBE-ODIHR sugjeron një mekanizëm kontrolli strikt: çdo individ që dhuron fonde duhet të detyrohet të deklarojë vendin e punës dhe punëdhënësin, duke iu nënshtruar kështu një lloj "vetingu financiar".
Së treti, raporti ndërkombëtar vë theksin te nevoja për të rregulluar në mënyrë të detajuar huatë që partitë politike marrin. Shqetësimi është se huatë mund të përdoren si një mekanizëm për të mashtruar ligjin dhe për të fshehur financime të paligjshme.
Këto pika të ngritura nga OSBE-ODIHR përbëjnë një udhërrëfyes thelbësor për reformën zgjedhore, tha eksperti, duke theksuar se një ligj i mirë në letër nuk mjafton pa u shoqëruar me mekanizma të qartë zbatimi dhe pa mbyllur çdo shteg për abuzim.
Flavio Qarri: Tani, e para njëherë, ky opinioni urgjent i ndërmjetëm i OSBE/ODIHR-it vjen veçanërisht në një moment paksa të dyzuar, le të themi, të opinionit publik ndaj OSBE/ODIHR-it. E pritëm shumë atë raportin, më pas erdhi me shumë vonesë, kishte ca gjëra në thonjëza të mira, por shpëtuan zgjedhjet e 11 majit. Si e shikoni këtë qëndrim sot të ODIHR-it?
Muharrem Çakaj: Së pari të theksojmë faktin që Komisioni i Posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore ka hartuar, sigurisht ekspertët, ka hartuar një draft projektligj për financimin e partive politike. Ky draft projektligj, si rrallë herë, ka filluar që në nisjen e tij, që në momentin e draftimit, është, diskutuar me aktorët, qoftë të shoqërisë civile, qoftë me aktorët ndërkombëtarë, të cilët japin kontributin e tyre në fushën e zgjedhjeve. Ndër ta, siç të gjithë e dimë, aktori kryesor ndërkombëtar, i cili jep kontributin e tij në fushën e zgjedhjeve, është OSBE/ODIHR. Dhe në këtë kuadër i ishte kërkuar një opinion. Dhe duhet vlerësuar përgjigja e shpejtë e ODIHR-it, i cili në thelb e ka vlerësuar këtë nismë të Komisionit të Posaçëm të reformës zgjedhore, por sigurisht ka lënë disa detyra, si dhe ka dhënë disa sugjerime në lidhje me draftin aktual të të financimit të partive politike. Çfarë duhet të kemi ne në konsideratë në këtë draft, në këtë projektligj? Së pari ata vlerësojnë punën e Komisionit të Posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, por vënë theksin te disa pika kyçe, të cilat ne duhet t'i kemi në konsideratë.
Flavio Qarri: A janë ato vërtet pika kyçe që mund të...
Muharrem Çakaj: Disa janë, janë vërtet pika kyçe. Së pari, do të duhet të sqarojmë diçka, edhe për publikun. Organizimi dhe funksionimi i partive politike, aktualisht shtrihet në tre kuadre ligjore. Së pari, shtrihet, pra neni 9 i Kushtetutës parashikon që partitë politike krijohen lirisht, organizohen dhe funksionojnë lirisht, por kanë detyrimin që të raportojnë për financat e tyre. Financat e tyre të jenë transparente. Më tej akoma, në kodin zgjedhor, partitë politike dhe të gjithë aktorët kanë rënë dakord që institucioni përgjegjës, neutral për raportimin e këtyre financimit të partive politike, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Dhe, më tej akoma, është miratuar që në vitin 2000 ligji për partitë politike. Në ligjin aktual për partitë politike, ka dhe dispozita për financimin e partive politike. Dhe në këtë kontekst, Komisioni i Posaçëm i reformës zgjedhore ka vendosur që, është diskutuar, nuk është se është vendosur, në fakt, që pjesën e financimit të partive politike, nisur dhe nga rekomandimet e herëpashershme për çdo palë zgjedhje, ta nxjerri jashtë. Këtu raporti urgjent i ODIHR-it ka ngritur një shqetësim. Duke qenë se financimi i partive politike dhe organizimi i partive politike shtrihet në tre kuadre ligjore të ndryshme, ligjin për partitë politike, ligjin për financimin e partive politike dhe kodin zgjedhor, do të duhet një harmonizim perfekt. Përndryshe, mbivendosja ose, ngërçi që mund të krijojnë këto tre kuadre ligjore, mund të sjellin problematikë në zbatim.
Së dyti, opinioni urgjent i ODIHR-it ka ngritur një shqetësim, nisur edhe nga problematika e zgjedhjeve të fundit. Shqetësimi kryesor është për financimin nga palët e treta, ose financimin e fshehtë. Kjo do të thotë që, supozojmë se disa individë, 500 apo 1000 individë, financojnë secili 100 apo 200,000 lekë të reja. Ndërkohë që këta individë mund të jenë dhe të punësuar diku, janë të sponsorizuar nga dikush, nga një dorë e vetme, qoftë, person i biznesit, qoftë person me background kriminal, i cili e ka shpërndarë këtë. Dhe, sigurisht që ky është financim i paligjshëm. Atëherë, kush është instrumenti për ta parandaluar këtë? Atëherë, në rastin konkret do të duhet që të gjithë këta individë, kushdo financues, do të duhet të deklarojë vendin e punës dhe punëdhënësin.
Flavio Qarri: Pra të bëjë një veting financiar të vetin, praktikisht.
Muharrem Çakaj: Po, minimalisht, të bëjë një veting financiar. Së treti, do të duhet rregulluar huatë. Pra, huaja të jetë në thelb vërtet një hua me karakter financiar, siç parashikon Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë. Pra, një kontratë ose një veprim juridik i cili nuk ka qëllim në thelb mashtrimin e ligjit, por ka qëllim atë objekt për të cilin e ka marrë partia politike. Si rregullohet kjo? Do të duhet të rregulluar në mënyrë të detajuar kushtet e huasë dhe sigurisht do të duhet të jemi të vëmendshëm në momentin që kjo hua falet…