Erdhi në jetë në një kamp refugjatësh, por u bë hero i Kanadasë, historia frymëzuese e Alphonso Davies

Historia e Alphonso Davies është një nga rrëfimet më frymëzuese në futbollin modern. Nga lindja në një kamp refugjatësh në Ganë deri te goli historik i Kanadasë në Kupën e Botës, ‘ylli’ i Bayernit të Mynihut ka përjetuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm, që sot shërben si simbol shprese për mijëra refugjatë në mbarë botën.

Davies lindi në vitin 2000 në kampin e refugjatëve Buduburam, pasi prindërit e tij u detyruan të largoheshin nga Liberia për shkak të luftës civile. Kur ishte vetëm pesë vjeç, familja e tij emigroi në Kanada për të nisur një jetë të re.

“Prindërit më kanë treguar se në Liberi kishte vetëm dy rrugë: ose të bëheshe pjesë e luftës, ose të largoheshe. Ata nuk donin të merrnin armë në dorë dhe jam i lumtur që vendosën të iknin”, ka treguar vetë Davies në një intervistë për BBC.

Pasi u vendosën në Kanada, sakrificat vazhduan. Në moshën 14-vjeçare, Davies u largua nga familja për të ndjekur ëndrrën e tij në Vancouver. Në fillim, nëna e tij nuk ishte dakord që ai të jetonte vetëm në një moshë kaq të re, pasi arsimi ishte shumë i rëndësishëm për familjen. Megjithatë, Alphonso premtoi se nuk do të ndryshonte dhe se do të punonte fort për të realizuar ëndrrën e tij.

Në Vancouver talenti i tij shpërtheu menjëherë. Ai firmosi kontratën e parë me ekipin e të rinjve të Whitecaps në moshën 15-vjeçare dhe shumë shpejt debutoi me skuadrën e parë. Performancat e tij tërhoqën vëmendjen e Bayernit, ku më pas u shndërrua në një nga mbrojtësit më të mirë në botë dhe fitoi edhe Champions League-n.

Kulmi emocional i historisë së tij erdhi në Botërorin e Katarit 2022. Pikërisht Davies realizoi golin e parë historik të Kanadasë në një Kupë Bote, në ndeshjen ndaj Kroacisë. Ai moment mbeti i paharrueshëm për futbollin kanadez.

Kanadaja, një vend që për dekada ishte më shumë i lidhur me hokejin sesa me futbollin, tani po përjeton rritjen më të madhe në historinë e saj sportive. Dhe në qendër të këtij transformimi qëndron Alphonso Davies, futbollisti që kaloi nga kampi i refugjatëve në simbolin më të madh të futbollit kanadez.

Tashmë Kanadaja përgatitet për Botërorin 2026, që do të organizohet bashkë me SHBA-në dhe Meksikën. Edhe pse Davies po rikuperohet nga një dëmtim, tifozët shpresojnë ta shohin sërish liderin e tyre në fushë, aty ku nisi të shkruajë historinë e një kombi të tërë.