Conte drejt rikthimit tek Italia pas 10 vitesh, por paga mbetet pengesa kryesore

Antonio Conte mund të rikthehet sërish në krye të Italisë pas një dekade nga përvoja e mëparshme në pankinën e kaltër. Pas ndarjes së pritshme me Napolin, emri i trajnerit nga Lecce-s konsiderohet si kandidatura më e fortë për të marrë drejtimin e kombëtares italiane, që po kalon një moment të vështirë.

Lamtumira e Contes nga Italia në vitin 2016 mbetet ende e freskët për tifozët. Pas eliminimit dramatik me penallti ndaj Gjermanisë në çerekfinalet e Europianit, trajneri italian nuk i mbajti lotët në konferencën për shtyp. Më pas ai nisi aventurën te Chelsea, por lidhja me “axurrët” nuk u shkëput kurrë.

Edhe pse ajo Itali nuk kishte një brez ‘yjesh’, Conte arriti të ndërtonte një skuadër shumë konkurruese falë forcës taktike dhe karakterit të tij. Për shumëkënd, puna e bërë në atë periudhë mbetet një nga arritjet më të mëdha të karrierës së tij.

Në karrierën si trajner, Conte ka fituar pesë tituj kampionë në Itali me tri skuadra të ndryshme, tri Superkupa italiane, si dhe Premier League e FA Cup në Angli. Megjithatë, rikthimi në stolin e Italisë shihet si objektivi i tij më i madh emocional.

Sipas medieve italiane, gjithçka të çon drejt rikthimit të tij në kombëtare, megjithëse ekziston një problem i rëndësishëm: paga. Te Napoli, Conte përfitonte rreth nëntë milionë euro neto në sezon, ndërsa trajnerët e fundit të Italisë kanë pasur paga shumë më të ulëta. Luciano Spalletti fitonte rreth 2.5 milionë euro, ndërsa Gennaro Gattuso afërsisht 800 mijë euro.

Federata italiane pritet të kërkojë ndihmën e sponsorëve, ashtu si ndodhi në vitin 2014 kur Conte u emërua për herë të parë trajner i kombëtares pas dështimit në Botëror.

Nëse marrëveshja nuk konkretizohet, Conte mund të marrë një vit pushim, siç bëri pas eksperiencave te Chelsea dhe Tottenhami. Ndërkohë, vazhdojnë të qarkullojnë edhe hipoteza për një rikthim tek Juventusi ose për një kalim te Milani në rast largimi të Massimiliano Allegrit, por për momentin pista më konkrete mbetet ajo e Italisë.